Sondazhi/ Për herë të parë, shumica e serbëve janë kundër anëtarësimit në BE!

Për herë të parë në dy dekada, numri i serbëve që janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Europian është më i lartë se ata që duan të bëhen anëtarë, sipas një sondazhi të ri. Sondazhi, i cili u krye nga Ipsos dhe u botua fillimisht në gazetën Blic, zbuloi se 44% e pjesëmarrësve janë kundër anëtarësimit, ndërsa 35% janë pro.
Marko Uljareviç i Ipsos tha për Blic se ishte hera e parë që numri i atyre që kundërshtonin anëtarësimin në BE tejkalonte ata që ishin në favor. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se gjetjet janë të ngjashme me gjendjen në Partinë Progresive Serbe në pushtet.
Serbia paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në BE në vitin 2009. Bisedimet e pranimit filluan në vitin 2014, por tensionet e vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës e kanë penguar procesin. Edhe pse po kërkon t’i bashkohet bllokut, Beogradi gjithashtu shikon nga Moska.
Ajo votoi në favor të tre rezolutave të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, por nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës. Politologu serb Nemanja Todorović Štiplija, kryeredaktor në ueb portalin European Western Balkans, është skeptik rreth sondazhit.
Kjo vjen pasi ministri i brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin tha se vendi duhet të rishqyrtojë qëllimin e shpallur për t’u bashkuar me Bashkimin Europian për shkak të presionit të supozuar të Perëndimit për t’iu bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për luftën në Ukrainë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.