S&P “kursen” Italinë – Nuk zhvlerëson notën e borxhit, por ul perspektivën në negative
Standard and Poors ka mbajtur të pandryshuar notën e borxhit sovran të Italisë, në BBB, por ka ndryshuar perspektivën, në negative nga e qendrueshme.
Vendimi është në linjë me pritshmëritë e tregjeve dhe ekspertëve. Agjencia e vlerësimit të kreditit ka përmbysur edhe projeksionet për perspektivën e deficitit për vitin e ardhshëm. Tashmë projeksionet flasin për 2.7% nga 2.4% që projektohej më parë. Edhe projeksionet për rritjen ekonomike janë rishikuar në territor negativ. Tashmë flitet për 1.1% rritje ekonomike vitin aktual, nga 1.4% që projektohej më parë.
E njëjta gjë vlen edhe për vitin e ardhshëm. Projeksionet e qeverisë ndërkohë, vlerësohen si më shumë se ç`duhet optimiste. “Në këndvështrimin tonë, plani ekonomik i qeverisë rrezikon të dobësojë performancën e rritjes së Italisë” – thuhet në njoftimin e S&P. Ndër të tjera, agjencia pret që ecuria e borxhit publik në trendin rënës, nuk do të vazhdojë më. Në tre vitet e ardhshme, thotë gjigandi i vlerësimit të kreditit, borxhi në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto do të jetë në 128.5%.
Roel Korkuti /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.