“S&P” për shëndetin bankar – “Largimi i bankave të vogla, sinjal konsolidimi. Të mëdhatë nuk do largohen”
Standard and Poor`s në vlerësimin e fundit për ekonominë shqiptare, ku mban të pandryshuar notën e borxhit sovran, në B+ me perspektivë të qëndrueshme, analizon edhe sektorin financiar në vend, shëndetin bankar si dhe lëvizjet më të fundit në këtë treg. Kështu, gjigandi i vlerësimit të kreditit nënvizon se, ikja e disa bankave europiane nga tregu bankar vendas është një shenjë konsolidimi të mëtejshëm.
“Ne nuk i shohim këto zhvillime si sinjale të një trendi më të gjerë të largimit të bankave të huaja nga vendi, duke qenë se bankat në fjalë zënë vetëm një pjesë të vogël të sektorit. Bankat më të mëdha nuk kanë dhënë sinjale të qarta se duan të largojnë investimin e tyre nga Shqipëria”-thotë mes rreshtave Standard and Poor`s. Sa i përket shëndetit të sektorit bankar, agjencia flet për një nivel të lartë likuiditeti si dhe një mirëkapitalizimin bindshëm përtej niveleve të kërkuara.
Në të njëjtën kohë, bankat kanë reduktuar normën e kredive me problemeve, nën 12%. Sektori financiar ka forcuar edhe pozitat si një kreditor i jashtëm neto. “Kjo reflekton likuiditetin e lartë të sektorit, por edhe mundësitë e pakta për kreditim, si dhe strategjinë e tyre të viteve të fundit, për të rrezikuar pak”-nënvizon agjencia.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.