“S&P” për Turqinë – Nuk ndryshon notën e borxhit, por projekton recesion të ekonomisë
Standard and Poor`s ka mbajtur të pandryshuar notën e e borxhit sovran të Turqisë si dhe perspektivën, në të qendrueshme. Ndër të tjera, agjencia shton se nota e borxhit sovran do të ulet në rast se do të shihen komplikacione në sektorin bankar. “Ne presim që ekonomia turke të tkurret me një normë në 0.5% këtë vit, pavarësisht se ka shumë pasiguri që rrethojnë një parashikim të tillë”-thotë agjencia.
S&P zhvlerësoi notën e borxhit në valutë të huaj të vendit në muajin Gusht, si pasojë e një rënie drastike të lirës turke. Monedha humbi rreth 30% të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan vitin e kaluar, duke prekur rekordin minimal pikërisht në muajin Gusht. Rritja ekonomike u ngadalësua në 1.6% në terma vjetorë në tremujorin e tretë të vitit, që është edhe performanca më e dobët në 2 vite.
Ekspertët projektojnë që ekonomia e vendit të jetë tkurrur përgjatë të 12 muajve të vitit të kaluar, si dhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas agjencisë të vlerësimit të kreditit, rritja ekonomike e Turqisë mund të përmirësohet ndjeshëm përtej vitit aktual.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.