S&P “qetëson” Italinë – Jo zhvlerësim të borxhit pas zgjedhjeve parlamentare

Pasiguritë politike në Itali dhe dobësia e koalicionit qeverisës që mund të dalë pas zgjedhjeve të ardhshme nuk përkthehen në zhvlerësim të borxhit sovran të vendit, njoftoi Standard and Poor`s, duke hedhur kështu poshtë zërat se politika mund të prodhojë diçka të tillë.
Standard and Poor`s në rishikimin e fundit për vendin, në fillim të majit, ruajti të pandryshuar në BBB- vlerësimin e borxhit sovran të vendit.
Agjencia e vlerësimit, një ndër tre më të mëdhatë në glob, nënvizon se, nuk pret që asnjë prej partive të fitojë mazhorancën qeverisëse gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Ndër të tjera, as koha e zgjedhjeve të ardhshme nuk është përcaktuar ende për shkak të marrëveshjes mbi reformën elektorale.
Standard and Poor`s ndërkohë doli hapur kundër Lëvizjes 5 Yjet.
Fitorja e partisë së Beppe Grillos në zgjedhje mund të ngrejë pikëpyetje mbi rimëkëmbjen ekonomike të vendit, nënvizon agjencia
“Në tërësi, ne jemi të mendimit se, pozicioni ekonomik i vendit është i atillë që, edhe në rast të një koalicioni të brishtë në të ardhmen e afërt, nuk lejon një lëvizje të vlerësimit”, thuhet më tej.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.