“S&P” rrit notën e Portugalisë – Rikthehet pas 5 vitesh grada e investimit, mundësi për financat

Agjencia e vlerësimeve Standard and Poor`s u bë e para ndër tre të mëdhatë që rrit vlerësimin për borxhin sovran të Portugalisë, në atë të investimeve.
Financat portugeze marrin sërish këtë notë, pesë vite e gjysmë më pas, duke qenë se e humbën në Janar të vitit 2012.
Përmirësimi i notës së borxhit sovran të vendit, me shumë gjasa do të tërheqë më shumë investime në borxhin Portugez, në një kohë që edhe programi i blerjes së titujve të Bankës Qendrore Europiane po jep impakt pozitiv.
“Ne tani, presim që diferenca në titujt qeveritarë me vendet e tjera të Eurozonës të ngushtohet, dhe kjo është mjaft e rëndësishme, për investitorët gjithashtu”, deklaroi menjëherë pas këtij lajmi kreu i financave portugeze.
“Ne jemi sot, shumë më të përgatitur për evoluimin e mëtejshëm të politikës monetare në Europë”, shtoi ai.
Humbja e notës së investimit në fillim të vitit 2012, pikërisht nga Standard and Poor`s bëri që yieldi qeveritar 10-vjeçar i Portugalisë të prekë rekordin e 17%.
Që prej atëherë, yieldi ka zbritur në 2.8%, por pavarësisht kësaj vazhdon të jetë i dyti më i lartë në Eurozonë pas Greqisë.
Tashmë, borxhi sovran i Portugalisë vlerësohet në BBB-, nga BB+ që ishte më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.