“S&P” vlerëson koston e Brexit – Ka humbur 6.6 mld paund çdo tremujor që prej referendumit
Mbretëria e Bashkuar ka humbur 6.6 miliardë paund çdo tremujor në aktivitet ekonomik, që kur votoi për të dalë nga Bashkimi Europian, sipas vlerësimit të fundit të Standard & Poor’s për dëmin e shkaktuar nga Brexit. Në raport, agjencia e vlerësimit të kreditit bëri të ditur se ekonomia e pestë më e madhe në botë do të kishte qenë 3% më e madhe në përmasë deri në fund të 2018-ës, nëse vendi nuk do të kishte zhvilluar referendumin në Qershor 2016, për të dalë nga Bashkimi Europian.
Sipas Standard & Poor’s, norma tremujore e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto do të kishte arritur një mesatare prej 0.7%, në vend të 0.43%. “Menjëherë pas referendumit, paundi ra me 18%. Ky ishte treguesi më i dukshëm i ndikimit të votës dhe dëmeve që shkaktoi, nëpërmjet inflacionit”, deklaroi agjencia. Ndërkohë që importet u bënë më të shtrenjta, inflacioni nisi të rritet, duke frenuar shpenzimet konsumatore. S&P vlerësoi se inflacioni ka qenë 1.8% më i lartë se çdo të kishte qenë në tremujorin e tretë 2017, po të mos ishte zhvilluar referendumi.
Ky vlerësim është pak më i ulët se ai i Goldman Sachs, që e caktoi koston e Brexit në 600 milionë paund në javë, apo 7.8 miliardë paund në tremujor. Raporti i Standard & Poor’s u bazua në një teknikë ekonometrike që përdori një ekonomi artificiale britanike, të bazuar në performancën e ekonomive të tjera, për të vlerësuar si do të kishte performuar Mbretëria e Bashkuar po të mos votonte për të dalë nga Bashkimi Europian. Këto ekonomi të tjera përfshinin Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Japoninë, Irlandën, Danimarkën dhe Portugalinë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.