Spahia: Njësitë administrative të Shkodrës mbi 48 orë pa energji elektrike – Qeveria të kthejë sytë nga banorët!
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia vizitoi banorët në njësinë administrative të Dajçit dhe Rrethinave ku sipas tij banorët kanë mbi 48 orë pa energji elektrike.
Sipas deputetit të PD nga ana e OSSHE nuk ka asnjë ndërhyrje për të rregulluar defektet, në një kohë kur temperaturat janë ulur dhe komuniteti i këtyre zonave kërkon ndërhyrje emergjente për zgjidhjen e situatës.
“I bej thirrje strukturave të emergjencës të ndërhyjnë dhe në zonën e Dukagjinit ku qindra banorë të malësive janë të izoluar nga dëbora. Mungesa e energjisë dhe e shërbimeve po vështirëson nga ora në orë, jetën e banorëve atje veçanërisht të të moshuarve, dhe të fëmijëve.
Edhe pse kryeministri e ministrat flasin për tejkalim të emergjencës së reshjeve, në fakt pasojat dhe paraliza e furnizimit me energjisë dhe ujë të pijshëm vazhdon. Ndërkohë një emergjencë e re, ajo e dëborës, po thellohet në Veri dhe posaçërisht në zonat turistike malore që Rama i trumbeton në daljet e tij publike, këto ditë gjenden në mëshirën e natyrës. Nuk është koha të flasim për hotele me pesë yje por për shërbimet bazike dhe për sigurinë më kryesore, atë të jetës së njerëzve”, shprehet zoti Spahia, ku i bëri thirrje qeverisë që të kthejë sytë nga banorët e këtyre zonave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.