Spanja i befason të gjithë – Ekonomia rritet me 0.8%, arrin nivelet e para krizës
Ekonomia spanjolle rifitoi vrullin në tre muajt e parë të këtij viti, falë eksporteve, duke hedhur poshtë pretendimet se ekonomia do të ngadalësohej gjatë kësaj periudhe kohore. Prodhimi i Brendshëm Bruto spanjoll u rrit me 0.8% gjatë periudhës Janar-Mars, ndërkohë që në tre muajt e fundit të 2016-ës rritej me 0.7%, tregon zyra e statistikave në vend.
Spanja është e vetmja ekonomi e madhe e Eurozonës ku rritja gjatë tremujorit të parë të vitit është më e madhe se ajo e tremujorit paraardhës. Gjatë vitit ta kaluar, ekonomia u rrit me 3% në total, duke performuar ndjeshëm mbi pritshmëritë dhe projeksionet e Komisionit Europian apo institucioneve të tjera ndërkombëtare. Gjatë dy viteve të kaluara, Spanja ka qenë gjithmonë surpriza e Eurozonës, dhe mesa duket do të jetë edhe këtë vit. Kjo performancë vjen pavarësisht se vendi u zhyt në një krizë të thellë politike dhe institucionale që zgjati thuajse një vit e që prodhoi dy palë zgjedhje të përgjithshme.
Ekspertët dhe ekonomistët prisnin që ekonomia e vendit të humbiste vrullin gjatë fillimit të 2017-ës si pasojë e zhvillimeve në Eurozonë dhe si pasojë e Brexit. Shifrat flasin për të kundërtën. Madje e ka bërë këtë pavarësisht çmimeve të naftës, duke qenë se është një vend që ka një varësi të lartë nga ari i zi dhe produktet e energjisë. Prodhimi i Brendshëm Bruto i gjeneruar nga eksportet u rrit me 4% gjatë kësaj periudhe kohore.
Qeveria spanjolle beson se në tremujorin e dytë, rritja do të jetë edhe më e madhe, ndërkohë që së fundmi ka rishikuar në territor pozitiv projeksionet vjetore. Ekonomistët tashmë shprehen se, nivelet e para krizës do të arrihen gjatë periudhës Prill-Maj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.