Spanja “injoron” krizën politike – Papunësia bie ndjeshëm, De Guindos rrit projeksionet për ekonominë
Papunësia në ekonominë e katërt më të madhe të Eurozonës ra në nivelin më të ulët në 8 vite për tremujorin e tretë, duke marrë nxitje nga rritja e punësimit në industrinë e shërbimeve.
Norma e papunësisë në Spanjë arriti në rreth 27% në fillim të 2013-ës, gjatë periudhës së krizës së borxhit. Që prej atëherë, ekonomia ka marrë një kthesë dhe rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ka qëndruar sipër mesatares në Europë, nxitur nga rritja e kërkesës së brendshme dhe punësimi kryesisht në sektorin e shërbimeve.
Në tremujorin e tretë, norma e papunësisë ra në 16.38%, krahasuar me 17.22% që ishte në tremujorin e dytë. “Më shumë se 2 milionë vende pune janë krijuar që prej periudhës më të keqe të krizës”, tha ministri i Ekonomisë Luis de Guindos.
Numri total i të punësuarve u rrit me 521,700 nga viti i kaluar, në 19.05 milionë. Prej këtyre, 300,000 u punësuan në sektorin e shërbimeve, 139,400 në industri, 33,200 në bujqësi dhe 47,400 në ndërtim, nxitur nga kërkesa e madhe për prona të paluajtshme.
Ministri i Ekonomisë deklaroi se pret që ekonomia të rritet me rreth 3% këtë vit, pavarësisht trazirave nga rajoni i pasur i Katalonjës. De Guindos tha se nëse plani për vendosjen e qeverisjes direkte në Katalonjë shkon mirë, ai do të përpiqet të kalojë buxhetin e 2018-ës në javët e ardhshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.