Spanja nuk merr përgjigje – Lideri rajonal nuk qartëson situatën, bursat e nisin javën në rënie

Qeveria Spanjolle është në pritje për të vendosur qeverisjen e drejtpërdrejtë mbi Katalonjën, pasi lider i rajonit humbi afatin për të qartësuar situatën mbi pavarësinë.
Rajoni i pasur kërcënoi të ndahet nga Spanja pas referendumit më 1 Tetor, gjë që çoi vendin në krizën politike më të rëndë që prej vitit 1981. Lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont dha një deklaratë simbolike javën e kaluar, por e pezulloi atë pak sekonda më vonë dhe bëri thirrje për negociata me Madridin mbi të ardhmen e rajonit.
Madridi i kishte dhënë liderit kohë deri ditën e Hënë në mëngjes, për të qartësuar pozicionin e tij mbi pavarësinë dhe deri ditën e Enjte për të ndryshuar mendje nëse këmbëngul për ndarjen. Ministri i Drejtësisë në Spanjë, Rafael Catala tha se përgjigja e liderit katalan, që i dha nëpërmjet një letre kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, nuk është e vlefshme.
Puigdemont nuk u përgjigj në mënyrë direkte, por bëri thirrje për dialog me kryeministrin sa më shpejtë. Deklarata e pavarësisë do të aktivizonte nenin 155 të kushtetutës, nën të cilin qeveria e Madridit mund të vendosë qeverisjen e drejtpërdrejtë në secilin prej 17 komuniteteve autonome të Spanjës, nëse thyejnë ligjin.
Aksionet spanjolle e nisën sesionin e parë tregtar për këtë javë në performancë negative, ndërkohë që pjesa tjetër e Europës ishte e qëndrueshme. Indeksi i titujve të kapitalit në vend, IBEX 35, ra me 0.7% në hapje. Bankat spanjolle ishin performuesit më të dobët, me Caixa, Sabadell dhe BBVA, në rënie me më shumë se 1%.
Klevis Llahaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.