Spastrimet në administratë – Harito: Rrezikojnë ata që nuk janë të kualifikuar

Çdo punonjës i Administratës publike, i cili nuk e ka fituar vendin e punës në bazë të meritokracisë, rrezikon ta humbasë atë .
Kështu ka deklaruar Ministria e Inovacionit Milena Harito për mediat lidhur me spastrimet të cilat priten të bëhen në administratën publike. Harito siguroi se çdo njeri i kualifikuar që është punësuar në bazë të meritokracisë, do vijojë të qëndrojë për të vazhduar karrierën në administratë duke iu nënshtruar vazhdimisht trajnimeve.
“Administrata publike duhet të funksionojë sipas parimeve të Bashkimit Europian, në bazë profesionalizmi dhe meritokracie. Për këtë arsye unë përmenda një element shumë të rëndësishëm, që është regjistri i nëpunësve publikë, pra jo vetëm i nëpunësve civilë, pasi ata i kemi tashmë pjesë të regjistrit. Të gjithë punonjësit publikë duhet të jenë pjesë e këtij regjistri dhe atje do të dokumentohen diplomat që kanë, trajnimet që kanë, kualifikimet që kanë. Çdo njeri që është i kualifikuar, meriton vendin e punës, që ka hyrë me meritë, që bën punën e tij, do të vijojë të trajnohet dhe do të vazhdojë karrierën në administratë. Rrezikojnë ata që nuk kanë kualifikimet e duhuara, që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, që kanë hyrë pa rregulla”, tha Harito.
Lidhur me apelin e kryeministrit Rama për qytetarët që të denoncojnë çdo zyrtar që abuzon me detyrën, Harito u përgjigj se nuk do të merret asnjë masë pa u verifikuar akuza ndaj punonjësve të administratës publike.
“Njerëzit mund të shprehin frustrimin e tyre, njerëzit mund të thonë edhe të pavërteta. Gjërat që ata do të thonë, në përgjithësi, do të verifikohen dhe vetëm rastet që verifikohen sigurisht që do të merren masa. Nuk bëhet fjalë për asnjë gjë që nuk është e verifikueshme”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.