Spiegel-Snapchat, një histori suksesi

Themeluesit e Snap, Evan Spiegel dhe Bobby Murphy rritën pasurinë e tyre me 1.6 miliardë dollarë ditën që kompania e tyre debutoi në bursë. Aksionet për aplikacionin u rritën 24 dollarë mbi çmimin fillestar dhe tashmë dy djelmoshat do të rriten 150 vende më sipër në klasifikimin e 500 njerëzve më të pasur në botë.
Evan Spiegel lindi në Los Angeles në 4 qershor 1990. Prindërit e tij ishin avokatë shumë të suksesshëm të specializuar tek fusha e taksave. Ashtu si Zuckerberg, edhe Evan ishte një gjeni në informatikë. Kompjuterin e parë e ndërtoi në klasën e gjashtë dhe fundjavat i kalonte duke mësuar programe në laboratorin e shkollës.
“Shoku im më i mirë ishte mësuesi i informatikës, Dani”, tha Spiegel duke qeshur.
Në gjimnaz Evan filloi të shfaqte të njëjtin karakter rebel si Zuckerberg, duke përfituar nga divorci i prindërve si taktikë për të marrë atë çka kërkonte. Ai punonte nëpër lokale nate duke promovuar pije të ndryshme, ndërsa babai ishte i detyruar ta lejonte të bënte party në shtëpi dhe t’i blinte makinën e ëndrrave, ndryshe Evan do të jetonte me mamanë e tij.
Spiegel studioi në Stanford për dizajn produktesh dhe hyri në vëllazërinë Kappa Sigma, ku u njoh me Bobby Murphy-n, që studionte matematikë dhe shkenca kompjuterike. Ata së bashku krijuan një portal që ndihmonte studentët dhe prindërit të aplikonin nëpër universitete, por kjo rezultoi një dështim.
Lindja e Snapchat
Ishte momenti kur një tjetër anëtar i vëllazërisë hyri në dhomën e Spiegel duke u ankuar për një foto që do të donte të zhdukej, që Spiegel dhe Murphy patën idenë për krijimin e Picaboo.
Listimi i parë i aplikacionit në AppStore shkruante “Picaboo të lejon ty dhe të dashurin tënd të dërgoni foto për t’i parë, por jo për t’i mbajtur” dhe kishte vetëm 127 përdorues.
Më pas ata vendosën të ndërrojnë emrin dhe logon e kompanisë.
Vjeshtën e atij viti, aplikacioni filloi të fitonte popullaritet. Nxënësit e shkollave kishin filluar ta përdornin për të kaluar shënime dhe pyetje provimesh, sepse Facebook ishte i ndaluar.
Me shtimin e përdoruesve, u rrit edhe nevoja për servera të rinj dhe fatura mujore shkonte mbi 5 mijë dollarë. Vajza e një sipërmarrësi tek Lightspeed Venture Partners i tregoi të atit për suksesin e aplikacionit, sesi ishte po aq popullor sa Instagram dhe Angry Birds. Atëherë i ati vendosi të gjurmojë dy të rinjtë, të cilët nuk kishin asnjë të dhënë kontakti në portalin e tyre apo në LinkedIn dhe kontribuoi me 485 mijë dollarë (pas kuotimit në bursë, vlera është mijëfishuar).
Konkurrenca me Facebook
Në vitin 2012, Zuckerberg ofroi të paguante 3 miliardë dollarë për blerjen e Snapchat, një kompani që dilte çdo vit me humbje, por Spiegel dhe Murphy refuzuan. Aty, Marku u shpalli luftë të hapur, e cila vazhdon ende. Instagram vazhdon të “kopjojë” veçori të Snapchat me modifikime të vogla.
Edhe në listimin e kompanisë në bursë shkruhej: “Kompania mund të mos dalë kurrë fitim, pasi konkurrentët janë në përpjekje të vazhdueshme për të na imituar”.
Jeta e Spiegel pas suksesit
Në 2012-ën Evan braktisi Stanford për t’u fokusuar tek “Snapchat”. Tashmë ai dhe partneri i tij Murphy zotërojnë 45% të aksioneve të kompanisë dhe kanë 70% të të drejtave të votimit në bord.
Në shkurt të këtij viti, të dy themeluesit deklaruan se do të dhurojnë 13 milionë aksione në 20 vitet e ardhshme drejt organizatave jo fitimprurëse që kanë të bëjnë me artin, edukimin dhe të rinjtë.
Në 2015 Spiegel filloi të dilte me modelen Miranda Kerr, të cilën e takoi në një darkë të “Louis Vuitton” në New York. Në 20 qershor të 2016-ës ata u fejuan.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.