Spitalet europiane, në mbikapacitet – “Rrëzohen” nën peshën e Omicron. Kulmi i rasteve nuk është prekur ende

Sistemet e kujdesit shëndetësor në Europë po rëndohen përsëri nga përhapja e shpejt e variantit Omicron të koronavirusit gjatë periudhës së pushimeve, me një numër të madh të stafit të sëmurë apo të vetë-izoluar, ndërkohë që ekspertët thonë se maja e infeksioneve nuk është arritur ende. Pavarësisht studimeve të mëparshme që tregojnë një rrezik më të ulët të sëmundjes së ashpër apo shtrimit në spital nga Omicron, krahasuar me variantin Delta, rrjetet e kujdesit shëndetësor në Spanjë, Britani, Itali dhe vende të tjera, janë vënë në rrethana të jashtëzakonshme.
Ditën e Premte, Britania caktoi trupa ushtarake për të mbështetur spitalet që përballeshin me mungesë të stafit, si pasojë e rasteve rekord me Covid-19. “Me Omicron, ka më shumë pacientë për të trajtuar dhe më pak staf për t’i trajtuar”- tha Stephen Poëis, drejtori mjekësor i Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë. Në Shtetet e Bashkuara, spitalet kanë vonuar kirurgjitë jo të nevojshme, për të liruar staf dhe shtrate, ndërsa sistemi shëndetësorë në Spanjë është aq në presion sa që në ditën e parafundit të vitit që kaloi, autoritetet në zonën Verilindore Aragon, autorizuan rikthimin e punonjësve mjekësorë të dalë në pension.
“Rritja eksponenciale e rasteve nënkupton se kujdesi parësor nuk mund të performojë as gjurmimin e kontakteve dhe as fushatën e vaksinimit si ç’duhet, përveç aktiviteteve të zakonshme”- deklaruan autoritetet. Punonjësit në vijë të parë të betejës me virusin, si infermierët dhe fizioterapistët, janë më të goditurit, sipas sindikatës spanjolle të infermierëve SATSE, që përmendte shembuj në Andaluzi ku ata përbënin mbi 30% të stafit që largohej për shkak të Covid, në gjysmën e dytë të Dhjetorit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.