Spitalet, tani me lista të barnave në dispozicion – Manastirliu: Askush s’do orientojë qytetarët jashtë spitalit
Spitalet në të gjithë vendin kanë nisur shpalljen e listave të barnave që zotërojnë këto qendra shëndetësore, në mënyrë që askush të mos i orientojë më qytetarët për ilaçe jashtë spitalit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një inspektim të befasishëm në spitalin rajonal të Durrësit, për të parë nga afër furnizimin me barna dhe shpalljen e listave transparente, ku çdo qytetar mund të shohë se çfarë barnash ka spitali.
“Kjo është lista e barnave esenciale që duhet të jetë transparente në çdo spital rajonal. Nuk ka asnjë arsye me buxhetin që shpenzojnë spitalet për barna që këto të mungojnë. Pacientët duhet të dinë se barnat bazë janë të garantuara në çdo spital dhe nëse dikush i orienton për të marrë barna jashtë spitalit, kanë në dispozicion numra telefoni për të denoncuar çdo rast”, tha Manastirliu.
Lista e barnave esenciale është shpallur në çdo repart urgjencë në spitale, në mënyrë që të sigurohet transparencë maksimale për barnat që disponon spitali dhe qytetarët të mos orientohen drejt farmacive private për alternative të të njëjtave medikamente, që duhet të garantohen në çdo spital.
Posted by Ogerta Manastirliu on Saturday, May 19, 2018
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.