“Spitali i Fierit, nivel terciar” – Rakacolli: Shërbime, që tani ofrohen vetëm jashtë vendit. Debate për origjinën e investimeve
Spitali i Fierit, që do të jetë një dhuratë nga Turqia, do të jetë i nivelit terciar, duke ofruar shërbime të avancuara në shumë specialitete sikurse është kardiologjia, kardiokirurgjia, neurologjia, nefrologjia, etj. Gjatë diskutimit në komisionet parlamentare të marrëveshjes së dhurimit, zv.minsitrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se me ndërtimin e këtij spitali, banorët e jugut të vendit do të kenë më afër shërbimet, ndërkohë që do të mund të marrin edhe shërbime të tjera që deri më tani merren vetëm jashtë vendit.
Ndërkaq, gjatë diskutime në Komisionin e Politikës së Jashtme, deputeti Ralf Gjoni ngrit pikëpyetje mbi rritjen e influencës turke në ballkan përmes këtyre investimeve, por sipas kryetares së Komisionit, Mimi Kodheli, Turqia është një vend aleat, ndërsa Shqipëria po diversifikon portofolin e investimeve.
Spitali i Fierit aktualisht është duke u ndërtuar, ndërkohë që sipas premtimeve ai do të jetë gati në muajin prill. Paralelisht me investimin, në këtë spital parashikohet që mjekët turq të japin asistencë teknike për personelin shëndetësor shqiptar.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.