Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” – Manastirliu: Hapet së shpejti hapet shërbimi i ri i Kardiokirurgjisë

Në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” pritet të hapet së shpejti shërbimi i ri i Kardiokirurgjisë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të punimeve për vendosjen e sistemit qendror të ngrohje-ftohjes në këtë spital.
“Shefqet Ndroqi’ nuk është më vetëm një spital i sëmundjeve të mushkërive, pasi interventet e urgjencave kirurgjikale janë dyfishuar në këtë spital vetëm gjatë 8 muajve të fundit, por ne synojmë që përveç zgjerimit të shërbimit të hemodinamikës, së shpejti të hapim në këtë spital shërbimin e ri të Kardiokirurgjisë”, tha Manastirliu.
Ndërkohë, Manastirliu ka shtuar më tej se në këtë spital do të dyfishohen kapacitete e kryerjes së koronarografisë për pacientët me probleme kardiake. Sipas saj, janë mbi 6 mijë pacientë me probleme kardiake në vit që përfitojnë falas ndërhyrjet e hemodinamikës, duke u kursyer qytetarëve 5 milionë euro.
“Me hapjen e Njësisë së Hemodinamikës në spitalin rajonal të Fierit dhe 3 njësitë e tjera të Hemodinamikës në Tiranë dhe në Shkodër, kemi arritur që nga 700 procedura të hemodinamikës që kryheshin 3 vite më parë në QSUT, të mundësojmë mbi 6 mijë ndërhyrje në vit, duke i kursyer qytetarëve shqiptarë rreth 5 milion euro, që më parë i shpenzonin në spitalet private për të marrë këtë shërbim”, tha Manastirliu.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.