Sportistët elitarë, pjesë e Forcave të Armatosura – Do të marrin gradat “kolonel” e “major” e do të paguhen si të tillë

Sportistët elitarë të Shqipërisë do të konsiderohen si pjesë e Forcave të Armatosura e madje do të kenë edhe grada e shpërblim financiar përkatës. Në këtë mënyrë, zgjidhet problematika e trajtimit financiar të sportistëve, që tashmë do të marrin pagë si ushtarakë.
Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, mundësojnë krijimin e një strukture ku ata do të angazhohen/vendosen.
“Këto ndryshime i shërbejnë njohjes së kontributit të sportistëve në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare përmes performancës së tyre, si dhe në përmirësimin e mënyrës së menaxhimit të karrierës së ushtarakëve aktivë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” shkruhet në relacionin e nismës që është në proces konsultimi.
Sportistit të nivelit të lartë i jepet grada honorifike me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Kjo gradë njësohet me gradën e ushtarakut aktiv vetëm për efekt të trajtimit me pagë. Sportisti e mban gradën për sa kohë është sportist aktiv dhe e humb atë me humbjen e statusit.
Si do të “gradohen” financiarisht sportistët elitarë:
a) Sportisti, i cili thyen rekord olimpik/botëror/evropian- Kolonel
b) Vendi i parë deri në vendin e tretë në Lojërat Olimpike/kampionat botëror – Kolonel
c) Vendi i parë në kampionatin evropian – Kolonel
ç) Vendi i dytë deri në vendin e tretë në kampionatin evropian – Nënkolonel
d) Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike – Nënkolonel
dh) Vendi i shtatë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike – Major
e) Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore – Major
ë) Vendi i parë në Lojërat Mesdhetare – Major
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.