Stabiliteti Financiar Global – FMN thekson vështirësinë e heqjes së akomodimit monetar
Rritja ekonomike botërore ka fuqizuar stabilitetin financiar, megjithatë kushtet monetare dhe financiare dhe nivelet e ulëta të inflacionit kanë shtuar rreziqet në terma afatmesëm, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar.
FMN theksoi gjithashtu se rreziqet po largohen nga bankat, që kanë fuqizuar bilancet e tyre, dhe po i drejtohen tregjeve financiarë ku diferencat mes obligacionit të kompanive me atë të thesarit po tkurret (credit spread) dhe çmimet e aktiveve po rriten.
“Ndërsa oreksi për rrezik dhe kërkimi për kthime më të larta janë të pritshme, pasi reflektojnë pasojat e politikave lehtësuese monetare në vitet e fundit, ekzistojnë rreziqe që kjo tendencë të kalojë limitin”, raporton Fondi në përditësimin e Stabilitetit Financiar Global.
Ndërkohë që investitorët kanë kohë që kërkojnë për kthime më të larta, është rritur ndjeshmëria e sistemit financiar ndaj rrezikut të tregut dhe likuiditetit.
Fondi në Washington i bëri thirrje rregullatorëve kombëtar që të konsiderojnë propozime të reja që lehtësojnë standardet për kapitalin dhe likuiditetin, për shkak të dëmit që mund të ndodh në harmonizimin e rregullimit global.
Përmirësimi i stabilitetit financiar është nxitur nga rimëkëmbja ekonomike e përhapur gjerësisht në botë.
Megjithatë, bankat qendrore po përballen me sfida të reja në heqjen e akomodimit monetar, që është komplikuar prej zhvillimeve në nivelin e çmimeve.
Më e lehtë ka qenë për Rezervën Federale në SHBA që të nisë tkurrjen monetare, ndërkohë që Banka Qendrore Europiane dhe ajo e Japonisë vazhdojnë me norma negative të interesit dhe programe të blerjes së obligacioneve (QE).
“Një përshtatje e politikave monetare do të shkaktonte trazira të mëdha në tregjet financiarë” nënvizoi fondi në raport.
Më tej, Fondi paralajmëroi për levën financiare (financim me borxh) në sektorin jo-financiar dhe se ekonomitë familjare dhe kompanitë janë më të cënuara tashmë ndaj ndryshimeve në normat e interesit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.