Stabilizohen çmimet – Comey, BQE dhe Britania në fokus të investitorëve
Çmimet e naftës u regjistruan në rritje të ndjeshme gjatë sesionit të sotëm, duke i`u larguar niveleve rekord minimale të 1 muaji.
Rimëkëmbja e çmimeve vjen pas një rënie të lirë gjatë sesionit të djeshëm, ku të dhënat nga shtetet e bashkuara që flisnin për një rritje të prodhimit për të 10tën javë me radhë, nxitën dobësinë.
Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 48.40 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 45.98 dollarëve për fuçi.
Të dy benchmarkët ranë me 4 dhe 5% respektivisht gjatë sesionit tregtar të së Mërkurës. Rimëkëmbja e çmimeve gjatë sesionit të sotëm ndërkohë, vjen kryesisht si pasojë e ripozicionimit të investitorëve.
Ecuria e çmimeve gjatë sesionit të sotëm mund të marrë një rrjedhë tjetër nga momenti në moment, për shkak të vendimit të bankës qendrore europiane, dëshmisë së ish drejtorit të FBI-së Comey në senat, i cili mund të rrisë ndjeshëm gjasat për një impeachment ndaj Donald Trump, por edhe si pasojë e zgjedhjeve në Britani.
Asnjë nga këto ngjarje nuk ka lidhje me tregun e naftës, por mund të ndikojë në ecurinë e dollarit, e për rrjedhojë edhe te çmimet e naftës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.