Stabilizohet dollari – Tregjet presin një ndërhyrje nga FED këtë javë

Blerjet në nisje të sesionit tregtar europian ditën e Hënë, kryesisht prej pritshmërive për një rritje të normave të interesit në Shtetet e Bashkuara, kanë ndaluar 3 ditë të rënies së valutës amerikane.
Mbyllja e pozicioneve për blerje të dollarit gjatë javës së kaluar, nxitur nga takimi i Bankës Qendrore Europiane, bëri që valuta amerikane të bjerë kundër euros.
Zyrtarët e Bankës Qendrore Europiane folën për mundësinë e një rritje të normave të interesit përpara përfundimit të programit të blerjes në treg të hapur. Megjithatë, ky diskutim u izolua brenda bordit të institucionit me seli në Frankfurt.
Nga ana tjetër, të dhënat e forta mbi punësimin në SHBA ditën e Premte, kanë thuajse siguruar një rritje të normës bazë të interesit nga Rezerva Federale këtë javë.
Gjatë sesionit të sotëm, dollari u stabilizua kundër euros në 1.0680. Indeksi i dollarit që mat performancën e valutës kundër shportës kryesore, u rrit në 101.26 pikë.
Çmimet e kontratave Futures për fondet e Rezervës Federale, tregojnë se investitorët presin një rritje të normës së interesit me një shans prej 90%. Tregjet presin 3 ndërhyrje nga Sistemi Bankar Qendror në Shtetet e Bashkuara për këtë vit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.