Stadiumi “Arena Kombëtare” gati për 15 muaj – Investimi shton edhe 200 vende parkimi nëntokësor
Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” në kryeqytet brenda 15 muajsh do të jetë gati të hapë portat për të mirëpritur skuadrat dhe tifozët. Punimet janë në fazën e montimit të strukturës së çeliktë, ndërsa sipas projektit është parashikuar edhe një parkim nëntokësor.
Kryebashkiaku e cilësoi ndërtimin e stadiumit të ri si një nga investimet më inteligjente të qeverisë shqiptare, që jo vetëm ruan fizionominë fillestare të stadiumit të vjetër, do t’i japë zgjidhje edhe çështjes së parkimit të automjeteve në qendër.
“Do jetë diçka që do na bëjë krenarë të gjithëve, ndaj besoj se është një investim inteligjent i qeverisë shqiptare, i cili i shton vlerë qytetit, ruan fizionominë fillestare, origjinale të trashëgimisë që kishim nga stadiumi i vjetër. Çdo gur është numëruar për t’u rivendosur sërish dhe për ta ruajtur fasadën, por për të pasur gjithashtu një stadium modern, pa dyshim një ndër më modernët sot në Europë. Si Bashki e Tiranës do t’i bashkohemi projektit të stadiumit me parkimin nëntokësor për 200 vende, i cili do të funksionojë 7 ditë të javës. Sigurisht, frekuentimin më të madh do ta ketë gjatë kohës së ndeshjeve, por siç pamë, edhe parkimi mbitokësor i Bashkisë ishte një sukses, zgjidhi një pjesë të madhe të problematikës. Parkimi nëntokësor do të ketë dyfishin e vendeve, me 200 vende parkimi”, u shpreh kreu i bashkisë.
Arkitekti Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit, sqaroi se tashmë ka përfunduar gjysma e punimeve, ndërsa vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin me të cilën kanë punuar kompanitë shqiptare në këtë investim ambicioz.
“Arena Kombëtare” është një nga kandidaturat zyrtare të UEFA-s për zhvillimin e finales së Superkupës së Europës 2019, ndërsa do të shërbejë jo vetëm për ndeshjet e skuadrës tonë Kombëtare, por edhe si një qendër multifunksionale për qytetarët, shërbime dhe argëtim gjatë gjithë ditëve të javës.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.