Stafi i Alitalias në referendum – 2 miliardë euro investim në rast pranimi të marrëveshjes
Punonjësit e Alitalia janë duke votuar në referendumin e kompanisë, për të pranuar ose jo një marrëveshje që do të shtonte kapitalin e kompanisë.
Referendumi do të jetë i hapur deri në mesnatë dhe personeli do të vendosë nëse janë të gatshëm të pranojnë më shumë orë pune dhe disa shkurtime në rroga, si kërkesë kryesore për fondet e reja.
2 miliardë euro janë në lojë, si formë investimi nga aksionerët si Etihad Airways, që zotëron 49% të aksioneve të kompanisë italiane. Etihad është përpjekur që në vitin 2014 të kthejë humbjet e përvitshme të kompanisë në fitime.
CEO dhe presidenti i grupit Etihad, James Hogan ka thënë se marka e Alitalia ka potencial shumë të madh, por stafi duhet të lërë pas idetë dhe metodat e vjetra dhe të sigurojë të ardhmen e kompanisë.
Alitalia është nën presion nga kompanitë rivale low-cost, si edhe nga format e tjera të transportit si trenat.
Plani i muajit Mars parashikonte shkurtimin e 2 mijë vendeve të punës, nga totali i 12,500, si edhe uljen e pagave të ekuipazhit me rreth 30%. Punonjësit e kompanisë u hodhën menjëherë në grevë, dhe qeveria italiane mundi të vepronte si ndërmjetës mes aksionerëve dhe punonjësve, duke arritur në një kompromis.
Marrëveshja e re propozon shkurtimin e 980 vendeve të punës dhe uljen e rrogave me vetëm 8%.
Në rast se stafi voton pro marrëveshjes, 2 miliardë eurot që do të investohen do të konsiderohen si një ringritje e kompanisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.