Starton “Java globale e parasë 2021”, Sejko: Edukimi financiar i të rinjve duhet të nisë sa më herët

Të martën Banka e Shqipërisë ka zhvilluar online ceremoninë hapëse të Javës globale të Parasë, gjatë së cilës u ndanë edhe çmimet për nxënësit fitues që morën pjesë në konkurse. Tema e Javës Globale të Parasë për vitin 2021 ishte “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”. Aktivitetin çelës e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko tha se nëpërmjet aktiviteteve edukuese Banka e Shqipërisë synon të afrojë brezin e ri me botën e ndërlikuar të financave dhe bankingut.
“Nëpërmjet aktiviteteve edukuese dhe ndërgjegjësuese të kësaj jave ne synojmë të afrojmë e brezit të ri me botën e financave dhe të bankingut. Të prezantojmë dhe të përçojmë njohuritë mbi mundësitë por edhe rreziqet me të cilat produktet financiare përqasin, si edhe të prezantojmë publikun e ri me informacione të nevojshmw mbi huamarrjen dhe kursimin.” – u shpreh guvernatori.
“Një fushatë kjo e krijuar pëveç të tjerave për të nxitur tek rinjtë dhe fëmijët dëshirën për të mësuar më shumë rreth parasë, rreth jetesës por edhe sipërmarrjes duke u bërë qytetarë më të përgjegjshëm dhe më të aftë në fushën financiare në të ardhmen.” – u shpreh ministrja e Arsimit.
Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë vlerëson se edukimi financiar duhet të nisë sa më herët, për ndërtimin e urave të komunikimit, ndërgjegjësimin dhe rritjen e njohurive financiare.
“Është e qartë se Banka e Shqipërisë vlerëson se edukimi financiar duhet të nisë sa më herët. Ky pohim përbën edhe filozofinë e programeve të institucionit tonë që synon ndërtimin e urave të komunikimit dhe ndërgjegjësimin në rritje të njohurive financiare te brezi i ri.”
Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.