Statistikat në vendimmarrje – Statistika më të mira për politika më të mira

Instituti i Statistikave organizoi të mërkurën një seminar për transformimin e statistikave në vendimmarrje.
Seminari ishte konceptuar si një ballafaqim me përdoruesit kryesorë të statistikave, me qëllim diskutimin e mënyrave për të përmirësuar spektrin dhe cilësinë e statistikave, në funksion të analizave dhe të marrjes së vendimeve.
Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, tha se statistikat më të mira janë baza për politika më të mira, çka do të mundësonte më shumë rritje ekonomike dhe standarde më të larta jetese.
“Mendojmë se është shumë e rëndësishme në fazën që jemi, të marrim mendimimin e përdoruesve kryesorë për zhvillimin e sistemit statistikor kombëtar. Kemi sjellë në sallë politikëbërës, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve të tjera që prodhojnë statistika në vend si: Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, pikërisht për të marrë mendimin e tyre se si ne në të ardhmen duhet të zhvillojmë statistikat në kuadër të rritjes së numrit të treguesve statistikorë që duhet të prodhojmë, në kuadër të rritjes së cilësisë dhe të ardhjes sa më afër të përdoruesve për të hartuar statistika sa më të mira dhe për të bërë vendimmarrje sa më të mirë”, tha Ibrahimaj për TV SCAN.
Sipas programit të statistikave zyrtare 2017-2021, INSTAT do të publikojë statistika të reja që lidhen sidomos me kërkimin-zhvillimin dhe inovacionin.
Gjithashtu, objektivi është që statistikat të jenë më të shpejta në kohë, për t’ju përgjigjur në kohë nevojave të përdoruesve.
“Në lidhje me statistikat e ndërmarrjeve, synojmë që të kemi informacione apo statistika mbi zhvillimin, mbi inovacionin apo statistika rajonale, si dhe statistika mbi teknologjinë e informacionit. Ne synojmë të bëjmë përmirësime të dukshme në afatet kohore të prodhimit të statistikave afatshkurtra, psh: nga 75 ditë kohë që duhet që të prodhohen aktualisht, të kalojmë në 65. Synojmë të ndryshojmë frekuencën e indikatorëve kryesorë të statistikave afatshkurtra: nga tremujor që prodhohen aktualisht, në tregues mujorë”, tha Elona Sevrani, drejtore e llogarive kombëtare pranë këtij institucioni.
Për sa i takon statistikave sektoriale, INSTAT do të pasurojë statistikat mbi industrinë dhe turizmin. Kështu, pritet që për herë të parë, të ketë një regjistër statistikor të njësive akomoduese në turizëm, që do të ofrojë informacion për kapacitete e shkallën e shfrytëzimit të tyre.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.