Statuja që duhet djegur – Del në shitje për 200 mijë euro, me kushtin që blerësi ta shkatërrojë

Ekspozita e artit “Arco” në Madrid ka nxjerrë në shitje një produkt mjaft të veçantë: statujën e Mbretit Filip në një uniformë ushtarake, 4 metra të lartë. Statuja në fjalë ka një kosto prej 200 mijë eurosh.
Por deri këtu çdo gjë është normale. Kushti i ekspozitës për ta shitur këtë statujë prej druri dhe dylli është që blerësi duhet t`i vërë flakën brenda një viti, dhe ta filmojë këtë proces si të ishte një performancë artistike.
Statuja në fjalë quhet “Ninot”, pasi emrin e merr nga kukullat që digjeshin gjatë festimeve në Valencia, qindra vite më parë. Ekspertët e cilësojnë djegien e skulpturës si një formë arti.
“Ne jemi në kërkim të një koleksionisti i cili nuk është i fiksuar pas idesë së posedimit të veprës së artit përgjithmonë, por që të kërkojë kënaqësinë në shkatërrimin e veprës së blerë nga vetë ai. Shkatërrimi i saj do të dokumentohet dhe do të hyjë në histori”, shprehet një prej organizatorëve të eventit.
Skulptura “Ninot” vjen pas pikturës “Vajza me tullumbace”, e cila u pre copa copa menjëherë pasi u shit në ankand, vetëm për t`ia rritur shumë më shumë vlerën.
“Unë e shoh këtë si një performancë”, shprehet një ekspert arti. Vetë mbreti Filip dhe gruaja e tij e vizituan ekspozitën “Arco” në Madrid ditën Enjte, por nuk vizituan statujën e tij.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.