Statusi AEO – Lehtëson tregtinë, Ikonomi fton bizneset të aplikojnë
Takimi i parë për vitin 2019 i Komitetit Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë është zhvilluar me aktorët institucionalë dhe përfaqësuesit e bizneseve. Në takim është diskutuar mbi potencialet e lehtësimit të tregtisë për operatorët në vend.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka qenë e pranishme në takim dhe u shpreh gjatë fjalës hapëse se roli i Komitetit për vitin 2019 është i një rëndësie të veçantë. Arsyeja pse ishte fakti se prej Janarit të vitit 2019 Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).
Sipas njoftimit, Denaj ftoi aktorët pjesëmarrës në këtë komitet për sugjerime mbi zbatimin e suksesshëm të protokolleve të kësaj marrëveshjeje në kuadër të lehtësimit të tregtisë, si edhe mbi hapat e mëtejshëm në kuadër të realizimit të Programit të Operatorëve Ekonomikë, si një nga prioritetet e vitit 2019.
Gjithashtu, Belinda Ikonomi Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, informoi përfaqësuesit e biznesit mbi procesin e përfitimit të statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar, AEO. Sipas saj, deri tani kanë aplikuar dy biznese për të marrë statusin e AEO-ve, ndërkohë që statusin e zhdoganuesit lokal e kanë përfituar tashmë nëntë biznese, si një hap paraprak drejt atij të AEO-së.
Sipas njoftimit, marrja e këtij statusi do tu lehtësojë atyre mjaft procedura doganore brenda dhe jashtë vendit, pasi krijon akses të mëtejshëm në tregjet rajonale dhe europiane për këto sipërmarrje.
Me mbështetjen e GIZ, Instituti i Politikave Publike dhe Private prezantoi studimin mbi përfitimet që ka sipërmarrja që merr statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.