Statusi “Investitor strategjik”, qeveria shtyn edhe me 1 vit afatin e aplikimeve! Kush mund të përfitojë
Qeveria ka vendosur të shtyjë me 1 vit afatin për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”. Ne ligjin ekzistues afati i fundit ishte data 31 dhjetor 2018. Ndërsa me amendimin e fundit që i është bërë ligjit, afati është 31 dhjetori i vitit 2019.
Referuar ligjit, sektorë strategjikë, në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, konsiderohen:
a) sektori energjetik dhe minerar;
b) sektori “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane”;
c) sektori “Turizëm (Strukturat turistike)”;
ç) sektori “Bujqësi (Ferma e madhe bujqësore) dhe peshkim”;
d) sektori “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”;
dh) zona me përparësi zhvillimi.
Investimet e propozuara për t’u konsideruar strategjike, duhet të përmbushin njëherësh kriteret e përcaktuara si më poshtë:
a) Për sektorin energjetik dhe minerar dhe nënsektorët investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 30 000 000 (tridhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
b) Për sektorin “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane” dhe nënsektorët investimi të jetë:
i) barabartë ose më i madh se 30 000 000 (tridhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
c) Për sektorin “Turizëm” (Struktura turistike) investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) euro, dhe që në të njëjtën kohë krijon, minimalisht, 80 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”,
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
ç) Për sektorët “Bujqësi (ndërtimi i modelit të “Fermës së madhe bujqësore”) dhe peshkim” investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 3 000 000 (tre milionë) euro, dhe që, në të njëjtën kohë, krijon, minimalisht, 50 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
d) Për sektorin “zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, përfshirë nënsektorët e tij, investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
dh) Për sektorin “Zona me përparësi zhvillimi” investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 1 000 000 (një milion) euro, dhe që, në të njëjtën kohë, krijon, minimalisht, 150 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 10 000 000 (dhjetë milionë) euro dhe që, në të njëjtën kohë, krijon, minimalisht, 600 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”
Statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitojnë edhe investitorët/projektet investuese, për të cilat, pavarësisht se nuk janë parashikuar të realizohen në një nga sektorët e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, parashikohet që vlerën totale të kapitalit investues të projektit ta kenë të barabartë ose më të madhe se 100 000 000 (njëqind milionë) euro.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.