Sterlina nxit turizmin – Vizitorët në mbretëri rriten me 19% këtë verë
Gjatë muajve të verës të këtij viti, turistët e huaj në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur në numër me 19% në krahasim me të njëjtën periudhë të një vitit më parë.
Kjo tendencë e re ka vetëm një shkaktare, dhe ajo është sterlina.
Zhvlerësimi i ndjeshëm i monedhës britanike e ka bërë ishullin një destinacion me leverdi për europianët, sidomos ata që vijnë nga vendet e Eurozonës.
Pra, është pikërisht Brexit që duhet falenderuar për këtë boom të turizmit në Mbretëri.
Gjatë ditëve të fundit, monedha britanike ka prekur nivelin më të ulët të 10 muajve të fundit, dhe është shumë pranë niveleve të pas referendumit, nga një anë si pasojë e efektit brexit dhe nga ana tjetër si pasojë e forcimit të euros.
Aktualisht, paundi britanik këmbehet me 1.1 euro, dhe në terma afat-shkurtër apo edhe afat-mesëm, duket se nuk ka asnjë shans që të fitojë terren.
Ekspertët argumentojnë se, sterlina do të nënshtrohet ndaj euros, deri në momentin që bankat qendrore të fillojnë rritjen graduale të normave të interesit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.