Stjuardesat shqiptare, shtimi i kompanive ajrore zgjeron kërkesën për staf të përgatitur!

Tregu i aviacionit në Shqipëri është prej disa vitesh tashmë në një trajektore rritëse, prej së cilës mund të përfitojnë, si individët, ashtu edhe kompanitë që operojnë në të. Ritmi i shpejtë i zhvillimit të turizmit hyrës dhe dalës ka bërë që Shqipëria të shfaqet tërheqëse në sytë e një numri të madh linjash ajrore, çka ka sjellë zgjerimin gjeografik, rritjen e numrit të fluturimeve dhe të pasagjerëve. Duke iu referuar shifrave të INSTAT-it, viti 2017 u mbyll me një rritje rekord, prej gati 20% në numrin e njerëzve që udhëtuan me rrugë ajrore. Kjo do të thotë se stafi në bordin e këtyre avionëve u desh të kujdesej për 2.63 milionë pasagjerë, një pjesë e mirë e të cilëve udhëtonin për herë të parë. Profesioni i stjuardesës është ai me të cilin publiku ka kontaktin më të madh, e për këtë arsye, e bën atë një nga detyrat më të vështira.
Arbër Tërvoli, nga departamenti i Shitjeve pranë “Albawings” është shprehur për Scan Magazine, se puna e një stjuardese ndoshta është puna më e vështirë në fushën e aviacionit. Përveç faktit që është një grusht njerëzish në bord, të cilët i shërbejnë jo më pak se 130 vetave për çdo fluturim, ato kanë detyrën që të mbajnë figurën e kompanisë gjithmonë të pastër, në çdo lloj skenari. Sipas tij, për të qenë një stjuardesë nuk duhet të jesh thjesht e paraqitshme, por e sjellshme, e gatshme të veprosh shpejt në situata emergjence, dhe mbi të gjitha e duruar.
Rekrutimi
Në Shqipëri, duke qenë se mungojnë agjencitë e mirëfillta të trajnimit që certifikojnë punonjësit, punësimi i stafit kryhet në dy faza: në rekrutimin e kandidatëve të përshtatshëm dhe në trajnimi e tyre, jashtë vendit. Sipas Drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, tregu aktual për profesionet në aviacionin civil shqiptar është i limituar pasi ka një numër të kufizuar operatorësh, ku profesionistët mund të punësohen. Ka vetëm një aeroport, i cili direkt dhe indirekt punëson 1000 punonjës, që mund të themi që kanë lidhje me aviacionin, pasi ka dhe të tjerë që nuk lidhen me të. Ai ka theksuar se ka vetëm një kompani shqiptare të regjistruar, me dy avionë, tek e cila punësimi shkon tek rreth 100 persona. Nga ana tjetër është edhe ofruesi i shërbimit të lundrimit ajror, kapaciteti i të cilit varet nga trafiku ajror dhe sigurisht nga numri i aeroporteve në vend. Duke parë të gjitha këto arrihet në përfundimin se mundësitë janë të kufizuara. Një prej stjuardesave, Amarda Logu, prej dy vitesh ka firmosur një kontratë pune si stjuardesë dhe ka vendosur që të jetojë në Arabinë Saudite, ku ndodhet kompania “FLYNAS”, e cila e përzgjodhi atë, mes 100 vajzash në Tiranë. Nga këto vetëm 20 iu drejtuan trajnimit. Ajo ka treguar se, gjatë kësaj faze ka bërë një testim me shkrim, ndërsa në vijim, një intervistë nëpërmjet një lidhjeje online, ku është pyetur nga burimet njerëzore të kësaj kompanie të cilët ndodheshin në Arabinë Saudite.
Punonjësit e fluturimit duhet të jenë komunikues efektivë. Detyrat e tyre përfshijnë këshillimin e udhëtarëve për ndihmën e shpejtë, maskat e oksigjenit në raste turbulencash dhe ky informacion duhet të përcillet në mënyrë të qartë. Stjuardesat duhet të jenë dëgjuese të mira, për të kuptuar se çfarë kërkojnë udhëtarët. Në emergjenca, punonjësit në bord duhet t’i japin udhëzimet në një mënyrë koncize dhe të kuptueshme. Mund të jetë e nevojshme që herë pas here, stjuardesat, gjatë fluturimit, të transmetojnë informacion tek ekuipazhi drejtues për situata emergjente ndaj nuk duhet të kenë as shpërqendrimin më të vogël. Logu thekson se, përveç njohjes së gjuhës angleze dhe një gjuhe të dytë, përfaqësuesit e dërguar të kompanisë i kushtuan rëndësi qëndrimit dhe mënyrës sesi ishin sjellë aplikueset për stjuardesa.
Disa nga kriteret strikte, të cilat janë të përbashkëta për një numër të konsiderueshëm kompanish ajrore janë: mosha 21-45 vjeç; Pesha duhet të jetë në proporcion me gjatësinë trupore; të paraqesë pamje profesionale; nuk lejohen tatuazhe të dukshme, piercing ose modele flokësh të papërshtatshme; aftësi të mira komunikuese dhe shkathtësi në veprime; aftësi të mira të komunikimit në anglisht dhe në një gjuhë të dytë.
Vështirësitë e të qenit stjuardesë
Shpesh, kur mendojmë për punën e tyre, imazhi i parë që na vjen në mend është “udhëtim në gjithë botën”, por ja që ndodh e kundërta. Arbër Tërvoli thotë gjithashtu se të qenit stjuardesë nuk është gjithmonë si në filma që udhëton dhe sheh gjithë qytetet e botës.
“Përkundrazi, ka vetëm 50-60 minuta kohë nga zbritja e një fluturimi dhe ardhja e pasagjerëve të fluturimit pasardhës. Stjuardesat tona bëjnë 4-6 fluturime në ditë, që do të thotë se u shërbejnë 600-1000 pasagjerëve çdo ditë, duke u buzëqeshur, sikur të jetë fluturimi i tyre i parë,” thotë ai.
Ndërsa Amarda Logu, nga ana tjetër, pohon se një nga vështirësitë, por edhe të mirat e kësaj pune është që do njohësh njerëz të ndryshëm çdo ditë, të cilët mund të jenë pozitive, por ndonjëherë edhe problematikë. Gjithashtu, sipas saj, çdo stjuardesë apo stjuard duhet të jetë gjithmonë i/e përgatitur për emergjenca, siç mund të jete një i sëmurë në bord apo edhe probleme teknike të avionit.
23-vjeçarja ka shtuar se, nëse dikush dëshiron të zgjedhë këtë profesion duhet të sigurohet që mund të përballojë çdo lloj situate, duke ruajtur qetësinë, pasi udhëtimi mund të zgjasë edhe 4-5 orë. Sipas saj, një anë negative është që duhet të përgatitësh veten që jeta jote do ndryshojë rrënjësisht, sepse do jesh në lëvizje pjesën më të madhe të kohës.
Paga e stjuardesave
Në Shqipëri, paga mesatare neto llogaritet në 45,845 lekë në muaj, teksa për femrat kjo shifër është edhe më e ulët. Duke qenë se renditemi si vend me një pagë thuajse minimale, shqiptarët janë të predispozuar që të orientohen drejt profesioneve që ofrojnë pagesa të kënaqshme, siç edhe mund të jetë profesioni i stjuardesës apo stjuardit. Pagesat për këtë punë fillojnë nga 500 euro, në disa vende të Europës, deri në 6000 euro, në linjat ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Të specifikojmë një pagesë fikse për këtë treg është e vështirë, pasi pjesa më e madhe e punonjësve të kompanive ajrore, në momentin që përfitojnë eksperiencë në vendin e tyre drejtohen në kompani të huaja, të shtyrë gjithmonë nga pagesa më të larta.
Sipas stjuardesës Logu, në përgjithësi ky profesion ka pagesa të kënaqshme. Në Europë, pagesa është më e ulët se vendet e Lindjes së Mesme. Një ndikim të konsiderueshëm në përcaktimin e pagesës është eksperienca, përgatitja apo edhe aftësitë komunikuese që zotëron qoftë edhe në intervistën tënde të parë. “Bloomberg” ka hartuar një studim, nga i cili është arritur në përfundimin se pagesat më të ulëta të këtij profesioni janë në Evropë, pasi udhëtimet janë më të shkurtra në kohë, por edhe më të lira në kosto. Në SHBA, një stjuardesë paguhet mesatarisht 28 dollarë në orë dhe të ardhurat e saj vjetore shkonin deri në 45 mijë dollarë. Ndërkohë, stjuardesat kanë përfitime të tjera të cilat konsistojnë në: bileta me ulje 50%-70%, kupona uljeje në restorante, kinema, S.P.A, etj. Dietat janë të pranishme në çdo udhëtim të tyrin për hotelin apo edhe ushqimin që konsumojnë, në pushimin që kanë, nga fluturimi në fluturim.
Perspektiva në këndvështrimin e Shqipërisë
Qeveria shqiptare po punon aktivisht për hapjen e dy aeroporteve të reja në vend, atë të Vlorës dhe Kukësit, të cilët do të tërheqin edhe më tepër linja. Nëse do të vijojë ritmi aktual i zhvillimit të tregut të aviacionit, ai do të sjellë me vete mundësi të mëdha punësimi. Sipas drejtuesit të Autoritetit të Aviacionit Civil, të gjitha këto zhvillime do të hapin vende të reja pune që do kërkojnë njerëz të kualifikuar. Partneriteti me kompani të specializuara në këto fusha është një avantazh i madh, sa i përket transferimit të dijes, por ky institucion ka menduar të bëjë hapa të tjerë përpara, në këtë drejtim. Autoriteti Aviacionit Civil është duke punuar me Shoqatën e Aeronautikës Shqiptare dhe shkollën profesionale “Harry Fultz”, për të krijuar një kurrikul të formimit të përgjithshëm profesional në aviacion, e cila pritet të pasohet nga degë më teknike, si teknik avionësh, apo ekuipazh kabine. Nëse kjo del me sukses, AAC-ja mund të ndërmarrë dhe hapin tjetër, atë hapjes së një dege inxhinierie në aviacion. Pavarësisht vështirësive, përfitimet dhe pagesat që sjell ky profesion, do të bëjnë që edhe në vijim të kemi gjithmonë e më tepër stjuardesa shqiptare, të cilat nuk do të heqin dorë lehtë nga fluturimet. Stjuardesa, Amarda Logu thotë se do e zgjidhte gjithmonë këtë profesion, pasi gjatë këtyre 2 viteve ka mësuar shumë e nuk do ndërronte me asnjë profesion tjetër.
Alma Çelaj/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.