Stoltenberg: Nga qershori, Mali i Zi zyrtarisht anëtar i NATO-s
Nga qershori 2017, Mali i Zi do të jetë anëtari i 29 i NATO-s, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp në Bruksel.
“Parlamentet e të 28 aleatëve dhe Parlamenti i Malit të Zi kanë ratifikuar pranimin e këtij vendi në NATO. Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për vizionin tonë për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe”, tha Stoltenberg.
Ai theksoi se ky proces do të jetë një hap pozitiv për Malin e Zi, si dhe për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Mali i Zi, vend me rreth 630,000 banorë, ka një ushtri të vogël, me rreth 2,000 ushtarë aktivë.
Me anëtarësimin e Malit të Zi, NATO (Aleancës Veriatlantike) bën zgjerimin e parë qysh në vitin 2009, kur në radhët e saj kanë hyrë Shqipëria dhe Kroacia.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.