Stournaras thekson sfidat e Greqisë – Borxhi publik, papunësia e lartë, stoku i madh i kredive me probleme
Guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras, tha se bankat greke kanë patur progres në trajtimin e stokut të kredive të këqija, megjithatë, qëndrojnë ende sfida për vendin.
Huadhënësit në Greqi mbajnë rreth 103 miliardë euro kredi të këqija në bilancet e tyre, shifër që është sa 60% e ekonomisë së vendit, pas viteve të vështirësive nga kriza financiare dhe recesioni. Banka Qendrore Europiane kërkon reduktimin e kredive të këqija me 38 miliardë euro deri në 2019-ën.
“Të dhënat e reja tregojnë për një reduktim të ekspozimeve dhe kjo është nxitur kryesisht nga reduktimi në vlerë i këtyre aktiveve nga bilancet”, tha Stournaras.
Ai shtoi se bankat duhet të shfrytëzojnë të gjithë mjetet në dispozicion për të reduktuar aktivet me probleme dhe në veçanti, të përshpejtojnë shitjen e kredive të këqija. Stournaras tha se borxhi i lartë publik dhe papunësia e madhe janë gjithashtu sfida kryesore për ekonominë greke, që po tregon shenja të rimëkëmbjes pas recesionit 8-vjeçar.
Ekonomia pritet të rritet me 1.6% këtë vit dhe 2.4% në tjetrin, shtoi Guvernatori. Megjithatë, ai tha se duhet bërë më shumë punë në reduktimin e papunësisë që qëndron në 20.6%, si dhe kredive me probleme dhe borxhit të madh publik që përfaqëson rreth 180% të prodhimit kombëtar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.