Strategji 160 milionë euro kundër krimit / 2021–2025, gjurmim e ngrirje e parave të paarritshme jashtë kufijve, pengim i riinvestimit në Shqipëri

Afërisht 20 miliardë lekë apo 160 milionë euro do të përdoren në 5 vite nga shteti shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Këshilli i Ministrave sapo ka miratuar Strategjinë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, 2021–2025, dhe planin e veprimit 2021–2022.
Synimi kryesor janë ndjekja e parave të organizatave kriminale jashtë kufijve, pastrami i tyre në Shqipëri, trafiqet e armëve, lëndëve narkotike e qenieve njerëzore, por edhe të veprave të artit.
Në strategji theksohet që megjithëse Komisioni Evropian ka vlerësuar një lloj progresi lidhur me sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive kriminale, numri i çështjeve me dënime përfundimtare për pastrim parash mbetet i ulët. Krahas vijimit të zbatimit të Planit të Veprimit të dakordësuar me Task-Forcën e Veprimit Financiar për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nevojiten përpjekje për të forcuar hetimet financiare dhe luftën kundër pastrimit të parave.
“Një vëmendje e shtuar i duhet kushtuar identifikimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale të vendosura jashtë vendit ose të paarritshme, zbatimit të rregullave për konfiskimin e zgjeruar dhe ngrirjen paraprake të pasurive, si dhe përdorimit sistematik të hetimeve paralele financiare për krimin e organizuar, të cilat duhet të shoqërojnë sistematikisht procedimet penale që nga fillimi”, theksohet në strategji.
Një prej objektivave kryesore të strategjisë, Goditja e krimit ekonomik të pastrimit të parave, do të mbështetet, përmes përmirësimit të proceseve të identifikimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të financave dhe aseteve të grupeve kriminale. Kjo, sipas strategjisë, do të ngushtojë hapësirën e veprimit, fuqisë financiare, por dhe motiveve të përfshirjes në struktura të krimit të organizuar, si dhe pamundësimin e riinvestimit të të ardhurave të përftuara nga veprimtari të paligjshme.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.