Strategjia e zgjerimit të BE – Bushati: Prezantohet muajin tjetër, presim propozime konkrete
Muajin e ardhshëm do të prezantohet strategjia e zgjerimit të Komisionit Europian, e cila do të shënojë një moment të rëndësishëm për politikën e zgjerimit në rajon. Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në konferencën “Bashkëpunimi territorial, perspektivë e re për nxitjen e integrimit. Bushati theksoi se Shqipëria po pret propozime konkrete për hapat që duhet të ndërmarrë për proceset e integrimit.
“Ne presim nga kjo strategji propozime konkrete për hapat e radhës në ecurinë e procesit të aderimit për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë në një perspektivë afatshkurtër e afatgjatë. Është shumë e qartë se cilësia dhe shpejtësia e reformave kyçe, e sidomos atyre që lidhen me forcimin e shtetit ligjor dhe sundimin e së drejtës, lidhen drejtpërdrejt me perspektivën konkrete dhe presionin pozitiv që Bashkimi Europian mund të ushtrojë mbi vendet tona.”
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë theksoi se në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe me gjerë janë dhënë miliona euro për realizimin e projekteve në fusha të ndryshme .
“Programet e bashkëpunimit territorial përbëjnë një element thelbësor të mbështeshtetjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe gjatë periudhës prej 2014 deri në 2020, 242 milionë euro janë dhënë në kuadër të IPA-s për projektet në këtë rajon si dhe një shumë e madhe për projektet ndërkufitare. Për Shqipërinë kjo nënkupton se një total prej 33.2 milionë euro për projekte me Malin e Zi, me Kosovën dhe Maqedoninë dhe 148.4 milionë euro për projekte me Italinë dhe Greqinë.”
Programet e Bashkëpunimit Territorial të Bashkimit Europian, ndërkufitare apo transnacionale përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen e punësimit, ruajtjen e mjedisit, mbështetjen e kërkimit, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.