Strategjia e zgjerimit të BE – Bushati: Prezantohet muajin tjetër, presim propozime konkrete

Muajin e ardhshëm do të prezantohet strategjia e zgjerimit të Komisionit Europian, e cila do të shënojë një moment të rëndësishëm për politikën e zgjerimit në rajon. Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në konferencën “Bashkëpunimi territorial, perspektivë e re për nxitjen e integrimit. Bushati theksoi se Shqipëria po pret propozime konkrete për hapat që duhet të ndërmarrë për proceset e integrimit.
“Ne presim nga kjo strategji propozime konkrete për hapat e radhës në ecurinë e procesit të aderimit për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë në një perspektivë afatshkurtër e afatgjatë. Është shumë e qartë se shpejtësia dhe cilësia e reformave kyçe, e sidomos atyre që lidhen me forcimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës, lidhen drejtpërdrejt me perspektivën konkrete dhe me presionin pozitiv që Bashkimi Europian mund të ushtrojë mbi vendet tona”, tha Bushati.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë theksoi se në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe me gjerë janë dhënë miliona euro për realizimin e projekteve në fusha të ndryshme.
“Programet e bashkëpunimit territorial përbëjnë një element thelbësor të mbështetjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe gjatë periudhës prej 2014-ës deri në 2020-ën, 222 milionë euro janë dhënë në kuadër të IPA-s për projektet në këtë rajon dhe një shumë e madhe për projektet ndërkufitare. Për Shqipërinë kjo nënkupton se një total prej 33.2 milionë euro për projekte me Malin e Zi, me Kosovën dhe Maqedoninë dhe 148.4 milionë euro për projekte me Italinë dhe Greqinë”, tha Vlahutin.
Programet e Bashkëpunimit Territorial të Bashkimit Europian, ndërkufitare apo transnacionale përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen e punësimit, ruajtjen e mjedisit, mbështetjen e kërkimit, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.