Strategjia për Turizmin 2018-2020 – Klosi: Rritje të turistëve me 15%, bashkitë të identifikojnë potencialet

Viti 2018 pritet të sjell një rritje të numrit të Turistëve në vend, 15 deri në 20%, por edhe pse në rritje, kjo shifër është vlerësuar si e pamjaftueshme nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. Gjatë prezantimit të strategjisë për zhvillimin e Turizmit 2018-2020, Ministri u shpreh se ajo çka nevojitet është rakordimi mes palëve për të vendosur piketa në menaxhimin e biznesit të turizmit në Shqipëri.
“Në qoftë se ne duam që në pesëvjeçarin e ardhshëm, Shqipëria të shikohet si një destinacion i vërtetë turistik europian, ne duhet të menaxhojmë shumë herë më mirë fuqitë tona, burimet njerëzore, këtë rrjet që jeni këtu me njerëz që punojnë çdo ditë me turizmin, natyrisht me politikat që ndërton institucioni ynë. Dhe ky mendoj është edhe thelbi i strategjisë sonë. Sa të mundur e kemi që të ne të rakordohemi me njëri -tjetrin dhe të vendosim disa piketa në menaxhimin e biznesit të turizmit në Shqipëri”, tha ministri.
Ministri Klosi u kërkoi bashkive të identifikojnë zonat turistike dhe fermat agroturistike dhe t’i sjellin për aplikim pranë ministrisë për të marrë mbështetjen financiare që ofrohet nga qeveria.
“Unë do t’u bëj një letër të gjithë kryetarëve të bashkive së bashku me ministrin Peleshi për të kërkuar kontributin e çdo institucioni lokal për të evidentuar dhe për të nxitur në zona me histori apo me potencial, zhvillimin e këtij lloj turizmit. E kemi shumë të nevojshme që të krijojmë një rrjet të pikave ku kemi zona dhe ferma agroturistike”, tha Klosi.
Drafti përcakton rrugën nëpër të cilën do të ecë zhvillimi i turizmit në vendin tone duke sjellë për herë të parë një dokument ku shkruhet qartë mënyra sesi do të zhvillohet turizmi në 12 muaj të vitit, dhe si industria turistike do të shndërrohet në degën kryesore të të ardhurave në ekonomi.
Strategjia ka nisur të konsultohet me grupet dhe aktorët e sektorit dhe në takimin me përfaqësues të bashkive dhe tur operatorët në vend.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.