Strehimi social – Aplikimi do të kalojë me një platformë online

Strehimi social ka marrë një vëmendje të veçantë viteve të fundit më shumë kjo e orientuar drejt hartimit të kuadrit të nevojshëm ligjor. Qeveria kaloi vetëm pak kohë më parë ligjin “për programet e strehimit social” i cili mbyll edhe etapën e kuadrit kyç bashkë me strategjinë 10 vjeçare.
Tashmë shumë shpejt pritet që të dalin edhe aktet nënligjore të cilat në një pjesë të mirë janë punuar. Por duket se një tjetër risi do t’i shtohet nismës së strehimit dhe kjo më shumë ka të bëjë me lehtësimin e burokracisë dhe rritjen e aksesit.
Ministria e Zhvillimit Urban bëri me dije se ka fituar një projektin mbi programin e Komitetit për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të organizatës së vendeve islamike, për “Krijimin i një Udhërrëfyesi për integrimin e shërbimeve sociale me në fokus strehimin”. “Qëllimi i projektit, me kohëzgjatje Prill – Korrik 2017, është krijimi i një udhëzuesi për integrimin e shërbimeve sociale me fokus strehimin, i cili më pas, do të shërbejë për ngritjen e një platforme on-line për aplikimet në programet sociale të strehimit, sipas strategjisë së strehimit të miratuar së fundmi dhe projekt-ligjit të ri të strehimit” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Shumë shpejt nga ky projekt pritet që të ketë edhe produkte konkrete mes të tjerave një udhërrëfyes që do të shpërndahet në 61 bashkitë e vendit për orientimin e punës në sektorin e strehimit dhe mbledhjes së të dhënave për të pastrehët në vend.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.