Stress test-i i BQE – Normat më të larta të interesit do rrisin të ardhurat neto nga interesat

Bankat e Eurozonës janë të mirëpërgatitura për ndryshme të theksuara në normat e interesit, raporton Banka Qendrore Europiane, pas simulimit të skenarëve në rast të një tkurrjeje të papritur monetare. Rezultatet vijnë në një kohë që institucioni në Frankfurt po përpiqet të nisë përfundimin e stimujve monetarë pas disa vitesh me norma rekord të ulëta të interesit dhe blerjeve në sasi gjigante të titujve të borxhit.
Banka Qendrore Europiane zbuloi se normat më të larta të interesit do të kontribuojnë në rritjen e të ardhurave neto nga interesat në 3 vitet e ardhshme për shumicën e 111 bankave të përfshira në “stress test”, por do të sjellë gjithashtu një vlerë më të ulët ekonomike të kapitalit të tyre. Rezultatet e testit, që nisi në muajin Shkurt, do të përfshihen në rishikimin e gjerë të institucionit, ku përcaktohet se sa kapital duhet të mbajë secila për t’u mbrojtur nga rreziqet.
“Ndërsa kërkesa për kapital për bankat individuale mund të adaptohet me rreziqet e identifikuara, kërkesa totale për kapital nuk do të ndryshojë prej analizës së ndjeshmërisë ndaj normave të interesit”, nënvizoi Banka Qendrore Europiane. Si pjesë e testit, BQE modeloi 6 skenarë të supozuar për goditjen nga normat e interesit, për të parë se si të ardhurat neto nga interesit dhe vlera ekonomike e huadhënësve do të ndryshonte për çdo rast. Bankat, kryesisht ato në vendet e pasura si Gjermania, janë ankuar prej kohësh se normat rekord të ulëta të interesit kanë tkurrur marzhin neto të interesave. Krahu mbikëqyrës i Bankës Qendrore Europiane, që ndërmori ushtrimin, është i ndarë nga funksioni i politikave monetare i institucionit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.