Studentët praktikantë – Veliaj: Bashkia, subvencion për rrogat deri në 6 muaj

Bashkia e Tiranës do të subvencionojë kompanitë që punësojnë studentë praktikantë, për t’i paguar me rrogë bazë deri në 6 muaj. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, gjatë një aktiviteti për inovacionin, bëri me dije projektin i cili sipas tij i jep fund njëherë e mirë epokës së punës pa pagesë.
“Ne do të marrim disa dhjetëra studentë, të cilëve do t’u paguajmë rrogën bazë deri në 6 muaj në një kompani të preferencës së tyre, kryesisht sektori financiar, sektori i IT-së dhe sektorët e tjerë të shërbimeve. Deri në 6 muaj rroga do të subvencionohet nga Bashkia, pra rroga bazë minimale dhe pastaj është sfida e secilit prej studentëve që të impresionojë kompaninë ku po subvencionohet nga Bashkia, që pastaj të marrë edhe një punësim afatgjatë”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj ftoi studentët e 10 projekteve më të mira inovative të fakultetit ekonomik, që të bashkëpunojnë me bashkinë duke dhënë kontribut në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.
“Mund të jetë një mundësi fantastike, që pavarësisht se si shkon konkursi sot, studentët që po merren me projektin urban t’i bashkangjiten ekipit të Bashkisë së Tiranës gjatë verës, ndoshta edhe në një formë internship-i dhe ne të kemi mundësi pastaj që të dalim me mënyrën më efikase, e cila jo vetëm e bën më të lehtë marrjen e abonesë dhe biletës elektronike me shirit magnetik që do të fillojmë të emetojmë, por zhduke edhe një problematikë shumë të madhe që ne kemi me spekulantët”, tha Veliaj.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar nga fakulteti i ekonomisë, Dekani Dhori Kule u shpreh se synimi mbetet përafrimi i kurrikulës me tregun e punës.
“Shërbimet në vendet më të zhvilluara kanë peshën më të madhe dhe papunësia, atje ku dixhitalizimi, zhvillimi teknologjik është më i madh, është më i ulët. Pra, edhe ky lloj elementi i kurrikulave tona, duke përdorur teknologjinë në formimin e studentëve tanë të specialiteteve të ndryshme: biznes, financë, informatikë ekonomike dhe ekonomiks; synimin e ka që kurrikula të mos jetë abstrakte, por në funksion të tregut të punës”, u shpreh Kule.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.