Studimi i BQE për tregtinë – “Proteksionizmi nuk do të reduktojë defiçitet tregtare”

“Politikat proteksioniste nuk do të reduktojnë defiçitet tregare, por mund t’i shtojnë ato”, tregon Banka Qendrore Europiane në një studim të publikuar pak ditë pasi krerët e financave të G20, dështuan të mbrojnë tregtinë e lirë në komunikatën e tyre.
Në përpjekje për të reduktuar defiçitin e madh tregtar, administrata e Donald Trump ka propozuar një sërë masash proteksioniste, të tilla si taksa për importet.
Shtëpia e Bardhë kërkon gjithashtu të rishikojë disa prej marrëdhënieve tregtare, përfshirë ato me partnerët kryesorë si Gjermania dhe Kina, vende që shesin më shumë mallra drejt Amerikës se sa blejnë.
Administrata e re është tërhequr nga Partneriteti i Trans-Paqësorit, ka kërkuar rishikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) dhe refuzoi të mbrojë tregtinë e hapur në takimin e G20-ës gjatë javës së kaluar, duke sjellë shqetësime për ekonomitë e nxitura nga eksportet në të gjithë botën.
Autorët e studimit të Bankës Qendrore Europiane, tregojnë se duhet bërë e kundërta. Ata thonë se liberalizimi i tregtisë globale dhe importimi i mallrave më të lira të ndërmjetme, përmirësojnë konkurrencën, duke ndihmuar firmat që të vazhdojnë në progres kundër rivalëve ndërkombëtarë.
“Adaptimi i politikave që lehtësojnë inovacionin dhe reduktojnë barrierat proteksioniste, mund të ndihmojë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së një ekonomie. Iniciativat shumëpalëshe që synojnë liberalizimin tregtar dhe financiar mund të reduktojnë gjithashtu disbalancat e jashtme të një ekonomie”, shkruan Banka Qendrore Europiane në studim.
Duke marrë pjesë në rrjetet globalë të vlerave, një ekonomi mund të marrë përkohësisht një avantazh konkurrues që rezulton në një rritje të balancës së llogarisë korrente, shton BQE.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.