Studimi i Lancet: 1 në 3 persona ka probleme neurologjike dhe psikiatrike pas infeksionit me Covid
Një në tre të sëmurë nga Covid-19 kanë probleme të shëndetit mendor ose simptoma neurologjike pas shërimit. Kjo u zbulua nga një studim, më i madhi deri më tani, botuar nga revista shkencore The Lancet Psychiatry. 236.379 pacientë, kryesisht amerikanë, u ekzaminuan në mënyrë anonime.
34% kishin një diagnozë me komplikime neurologjike dhe psikologjike, gjashtë muaj pas ditës së parë të infeksionit. Forma më e zakonshme e shqetësimit ishte ankthi (17%) i ndjekur nga çrregullimet e humorit (14%). Nga ana tjetër, efektet neurologjike, të cilat janë të rëndësishme për ata që janë shtruar në spital, mbeten të ulta për format më të lehta të virusit: hemorragji cerebrale (0.6%), goditje në tru (2.1%) dhe dementia (0.7%).
“Këto nivele rriten progresivisht me ashpërsinë e sëmundjes. Nëse shikojmë pacientë të shtruar në spital, norma rritet me 39%,” tha Maxime Taquet, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Oksfordit dhe bashkë autor i studimit të ri.
“Gjetjet tona tregojnë se sëmundja e trurit dhe çrregullimet psikiatrike janë më të zakonshme pas Covid-19 sesa pas gripit ose infeksioneve të tjera të frymëmarrjes. Tani ne duhet të shohim se çfarë ndodh pas gjashtë muajsh,” shtoi Taquet. Studimi përshkruan se si vëzhgimi i pacientëve me Covid tregoi se 44% e tyre kishin një rrezik në rritje të sëmundjeve neurologjike dhe psikiatrike.
Megjithëse, në një nivel individual, incidenca e shumicës së këtyre çrregullimeve neurologjike dhe psikiatrike është e ulët, efekti mund të jetë “i konsiderueshëm” për sistemet shëndetësore; dhe meqenëse shumë nga këto çrregullime janë “kronike”, vëren profesor Paul Harrison i Universitetit të Oksfordit, autori kryesor i studimit, sistemet shëndetësore duhet të përpiqen të sigurojnë burimet “për të përmbushur nevojat”.
Një kufizim i studimit, thotë Paul Harrison, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Oksfordit dhe autor kryesor i studimit, është se ai përdor “të dhëna mjekësore rutinë” sesa të dhëna kërkimore.
Që mund të nënkuptojë se diagnozat mungojnë, që nuk kanë qenë të plota ose që nuk janë të sakta. “Pacientët me Covid-19 mund të kenë më shumë gjasa të marrin një diagnozë neurologjike dhe psikiatrike thjesht sepse ata kanë marrë më shumë monitorim dhe më shumë kujdes mjekësor sesa pacientët me infeksione të traktit respirator,” tha Taquet. (LaRepubblica)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.