Studimi i Pfizer / BioNTech për dozën e 3-të – Mbron në 95.6% tek prova me 10,000 persona, të vaksinuar 11 muaj më parë

Një dozë nxitëse e vaksinës kundër Covid-19 të zhvilluar nga Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech, ishte 95.6% efektive kundër koronavirusit ndërsa krahasohej me një grup të vaksinuar që nuk kishin marrë dozën e tretë, sipas të dhënave nga një studim i madh i publikuar nga kompanitë. Sipas publikimit, dozat e treta u testuan tek 10,000 pjesëmarrës në moshë 16-vjeç e sipër , që kishin marrë 2 dozat e para në provat e mëparshme.
Një dozë e tretë e administruar rreth 11 muaj pas të dytës, kishte një profil të favorshëm të sigurisë dhe funksiononte mirë kundër variantit Delta, sipas të dhënave, që nuk janë rishikuar ende nga analistë. Rezultatet e provave vijnë 1 ditë pasi Administrata e Barnave dhe Ushqimeve autorizoi dozat nxitëse të Moderna dhe Johnson & Johnson, dhe theksoi se amerikanët mund të zgjedhin një dozë nxitëse të ndryshme nga ajo që kanë marrë në fillim.
Agjencia, së bashku me CDC, kishin autorizuar dozat nxitëse të Pfizer/BioNTech të paktën 6 muaj pas regjimit të parë të imunizimit, për të rritur mbrojtjen për njerëzit në 65 –vjeç e sipër dhe ata në rrezik të lartë nga virusi. Analistët thonë se doza e tretë duket se ka përfitime për parandalimin e Covid-19 simptomatik, por vunë në dyshim nevojën për të rinjtë. Pfizer ka bërë të ditur se regjimi i parë me 2 doza zbehet me kalimin e kohës, duke përmendur një studim që tregonte 84% efektshmëri pas 4 muajve, nga 96% që mbronte fillimisht.
Kompanitë bënë të ditur se koha mesatare mes dozës së dytë dhe të tretë, apo placebo në studim, ishte në rreth 11 muaj. Vetëm 5 raste me Covid kishte tek grupi me dozat e treta, krahasuar me 109 raste tek grupi me placebo. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 53 vjeç, me 55.5% të tyre mes 16-55 vjeç dhe 23.3%, sipër 65 vjeç.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.