Studimi/ Sa kushton dhuna në Shqipëri? 632 dollarë për frymë ose 7% e PBB

Dhuna në Shqipëri i heq Prodhimit të Brendshëm Bruto, jo pak, por plot 7%. Të dhënat janë publikuar në një studim të fundit të Institutit për Ekonomi dhe Paqe.
Në këtë raport, me titull; Vlera ekonomike e paqes, Shqipëria renditet në vendin e 88-të ndër 163 shtete, në një klasifikim ku do të na pëlqente të ishim vendosur në fund të tabelës, pasi vendet e fundit janë ato ku dhuna dëmton më pak ekonominë.
Sipas këtij studimi, dhuna dhe konfliktet e ndryshme, i kushtojnë çdo shqiptari në vit, 632 dollarë. Në një klasifikim të tillë, Shqipëria lë pas të gjitha vendet e rajonit, të paktën po të jetë krahasimi mes të barabartëve, pasi vendet që janë anëtare të Bashkimit Europian si: Greqia, Kroacia apo Rumania, janë më mirë në renditje.
Në Bosnje Hercegovinë dhuna zë 7.2% të GDP-së, në Maqedoni 7.7%, në Mali të Zi 8.4%, dhe në Serbi 9.4%.
Serbia është “delja e zezë” e Ballkanit në këtë drejtim, duke u renditur e fundit në rajon, në vendin e 55-të në Botë.
Në rang global, në vend të parë qëndron Siria, ku dhuna dhe konfliktet zënë 54.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe ndiqet nga Iraku dhe Afganistani.
Vendi i fundit, por i pari në Botë po të marrim parasysh faktin se është edhe më paqësori, është Indonezia, ku dhuna zë vetëm 2% të GDP-së.
Të dhënat i referohen vitit 2015, dhe raporti arrin në përfundimin se, gjatë të gjithë vitit, botës, dhuna dhe konfliktet i kanë kushtuar plot 13.6 trilionë dollarë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.