Studimi: Vetëm 15% e zonave bregdetare në botë janë të paprekura nga njerëzit!

Një kërkim ndërkombëtar i udhëhequr nga Universiteti i Queensland (Australi) ka treguar se vetëm 15 % e zonave bregdetare në mbarë botën janë ende të paprekura: pjesa tjetër janë degraduar në shkallë të ndryshme nga veprimet e bëra nga njeriu.
Kjo flet për nevojën urgjente për restaurim në shkallë globale nëse do të “ringjalleshin” brigjet e shkatërruara. Brooke Williams, koordinatore e studimit të publikuar në Conservation Biology, shpjegoi se të dhënat e studimit ofrojnë një pasqyrë të vlefshme për ndikimet e shkaktuara nga njeriu në ekosistemet individuale dhe të vlefshme bregdetare të Tokës.
Shkalla e degradimit në këto rajone, sipas studimit, përbën një kërcënim të madh jo vetëm për speciet dhe habitatet bregdetare, por edhe për sigurinë shëndetësore dhe ekonomike të njerëzve të panumërt që jetojnë ose varen nga rajonet bregdetare.
Ekipi hulumtues zbuloi se nga 15.5 % e zonave të paprishura, Kanadaja përbën sasinë më të madhe të zonave bregdetare të paprekura. “Zbulesa të tjera të mëdha gjenden në Rusi, Grenlandë, Kili, Australi dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa 47.9 % e rajoneve bregdetare janë prekur thellë dhe janë degraduar, pjesa tjetër mund të rikuperohet ende, “shpjegoi Williams.
Studiuesit u bëjnë thirrje qeverive dhe kujdestarëve të këtyre mjediseve që të përdorin të dhënat e mbledhura për studimin, të cilat mund të ndihmojnë në ruajtjen aktive të rajoneve të çmuara të paprekura bregdetare për të cilat ata janë përgjegjës, ndërkohë që restaurojnë ato të degraduara. FCS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.