Studimi zbulon/ Të lësh punën në krye të 15 muajve është njësoj sikur të fshish vite eksperience nga CV- ja

Ekspertët e punësimit duket se kanë mendime të ndryshme rreth kohëzgjatjes në një pozicion pune. Disa prej tyre thonë se 1 vit është mese mjaftueshëm për të treguar qëndrueshmëri, mirëpo mesa duket, për disa të tjerë duhet edhe më shumë se aq.
Sipas një studimi nga faqja e punës ‘TalentWorks’ duhen 15 muaj qëndrim në të njëjtin vend pune për t’u mos u ‘penalizuar’ në intervistat e ardhshme.
Studimi u krye në Amerikë dhe analizoi se si në 6,976 aplikime në 365 qytete amerikane, aplikantët që u pushuan nga puna ose u larguan brenda 15 muajve të parë të punës së mëparshme ishin 43 % më pak ‘të punësueshëm’ kur aplikonin për punë të reja.
Shkalla e thirrjes në intervistë për këta kandidatë ishte 7.6 %, krahasuar me 13.4 % për homologët e tyre që mbanin një pozicion më të gjatë se 15 muaj.
Sipas sondazhit, kjo është ekuivalenti i fshirjes së përvojës gati 5 vjeçare nga rezymeja apo CV-ja. Studimi tregoi se menaxherët e punësimit kanë më shumë gjasa të ‘flakin’ CV-në tuaj, se sa të ndalojnë për të menduar thellësisht mbi arsyet e largimit tuaj.
Megjithatë, për të mos ‘hedhur poshtë’ asnjë vit eksperience si dhe për të qenë totalisht të sigurt që në punën tuaj të ardhshme nuk do të ndikojë periudha e kaluar në punën paraardhëse, basti më i sigurt është 24 muaj.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.