Subsidiariteti dhe të rinjtë – Duhen më shumë incentiva financiare dhe orientim drejt tregut të punës
Papunësia është një nga problematikat me të cilën nuk përballet vetëm Shqipëria. Sipas të dhënave të raportit mbi Subsidiariteti-n në Italinë e jugut rezulton se papunësia është në rreth 18% nga 14.7% që është në Shqipëri. Të dyja këto shifra janë shumë larg normës së BE-së që i referohet shifrës prej 7%. Sipas Ambasadorit italian në Shqipëri Alberto Cutillo punësimi dhe kryesisht punësimi i të rinjve mbetet sfida kryesore për të dy vendet.
“Në aspektin pozitiv është pasuria e burimeve pjesërisht të përdorura tashmë, pjesërisht ende për t’u shfrytëzuar, ende potenciale që qoftë jugu i Italisë, qoftë Shqipëria, zotërojnë. Pra, janë burime natyrore në radhë të parë, burime kulturore, vetë pasuria e këtyre të rinjve që kanë dëshirë për të vepruar, për t’u afirmuar, pra për të bërë në shtëpinë e tyre punën e parë dhe që zgjedhin emigracionin si një mundësi të dytë”, u shpreh Cutillo.
Orientimi i të rinjve në tregun e punës dhe sipas kërkesave të ndërmarrjeve për profesionistë ka nisur, por duhet ende kohë që të shohim rezultatet e para. Kështu u shpreh zv.ministri i arsimit Shpati Kolgega i cili theksoi faktin se vitet e fundit janë pesëfishuar degët për arsimin profesional.
“Ne na mungojnë profesionistët, pra kërkohet punë dhe ka punë në sektorë të ndryshëm, sidomos nga investitorë të huaj, sidomos nga Italia. Por profesionistët që ne kemi aktualisht në Shqipëri nuk përmbushin të gjithë atë kërkesë që vjen nga biznesi dhe nga investitorët e huaj. Rritja e numrit të shkollave dy-vjeçare të larta profesionale në Shqipëri këtë vit ka pësuar një pesëfishim të degëve. Po ashtu rritja e numrit të studentëve që shkojnë në shkolla të larta dyvjeçare është rritur”, tha zëvendësministri.
Edhe pse raporti për “mbështetjen ekonomike” që jep shteti për të rinjtë është realizuar në Italinë e Jugut ka shumë ngjashmëri me Shqipërinë. Referuar sugjerimeve të raportit duhet që shteti të mbështesë me incentiva financiare start-up e të rinjve. Ndërkohë që duhet të ndihmohen ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, që të të investojnë në infrastrukturë dhe teknologji, dhe kjo duhet të bëhet në të gjithë sektorët njëkohësisht.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.