Subvencionet për fermerët, Rama: Do të heqim TVSH për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor
Qeveria shqiptare ka planifikuar rreth 20 milionë euro mbështetje për sektorin bujqësor, ku vetëm për serat do të akordohen 8 milionë euro.
Kësaj shume i shtohen edhe fondet e BE prej 93 milionë euro. Mbështetja e qeverisë do të orientohet drejt kulturave bujqësore që kanë treg dhe sigurojnë të ardhme financiare për familjet e fermerëve.
Kryeministri Edi Rama theksoi se duhet të ndiqet një linjë strategjike planifikimi dhe bashkëpunimi. Si mbështetje, qeveria do të heqë TVSH-në për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.
“Mbillet karota, por tregu i karotave aq është këtu. Karota për eksport nuk shkon dhe pastaj ca e shesin, ca e hedhin. Prandaj nuk duhet të shkojë secili më vete, duhet të ndiqet një linjë strategjike planifikimi dhe bashkëpunimi. Ne duam që ju të bashkoheni e jo secili më vete tek ajo copa e vet. Do heqim TVSH për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Duke u bërë bashkë, ju keni mundësi që së pari, të racionalizoni të gjithë mjetet e prodhimit dhe financimit; Së dyti, të hyni në një sistem, ku duke prodhuar gjërat e duhura me volume të mëdha, nuk vijnë ata nga Tirana dhe të bëjnë “përça e sundo”, “ma jep me 3 lekë, se ai tjetri ma jep me 5 lekë”.
Ndërsa, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote tha se çdo fermeri i subvencionohet çdo fidan i mbjellë, në masën 50% dhe se sfida e radhës është certifikimi i produkteve dhe rritja e standardeve për eksport.
“Qeveria shqiptare sivjet me skemën e subvencioneve ka planifikuar 20 milionë euro për të gjitha, kurse për serat dhe perimet janë 8 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe nga IPARD, 93 janë milionë euro, ku futen këtu edhe rreth 10 milionë euro që do të përdoren për serat. Subvencion tjetër për fermerët është edhe certifikimi i produkteve. Ne mund të prodhojmë shumë, por mungon certifikimi. Por vitin që vjen do të jenë në skemë 100 % të gjithë fermerët, sepse duhet që këtë produkt ta eksportojmë. Ne u subvencionojmë të gjithë fermerëve fidanët në masën 50 %, 120 lekë të vjetra.”
Duke sjellë eksperiencën e tyre në ngritjen e serave, fermerët treguan se të bashkuar dhe me një strategji të caktuar, ata janë më të fuqishëm në treg.
Ndërsa pohuan se heqja e TVSH-së për shoqëritë e bashkëpunimit do të jetë një ndihmë shumë e madhe për ta.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.