Suedezët të kënaqur nga Shqipëria – Verën tjetër fluturime direkte drejt Tiranës

Në verën e vitit 2018 tur operatori suedez “Apollo” do të nisë fluturimet direkte drejt kryeqytetit. Në ofertën që do të paraqesë për nordikët, tur operatori do të përfshijë disa hotele në destinacione si Durrësi dhe Saranda.
Kompania ka shpallur në faqen e saj që tani datat e fluturimeve, të cilat do të jenë çdo të hënë nga muaji Maj deri në fund të Gushtit.
“Shqipëria rezultoi të ishte një sukses i vërtetë. Në këtë vend ngazëllyes, i cili u hap për botën e jashtme jo para shumë kohësh, ju pret një histori magjepsëse, peizazh bregdetar shumë i bukur dhe çmime të ulëta”, thuhet në faqen zyrtare të tur operatorit.
Edhe për suedezët, Shqipëria do të reklamohet si një destinacion vërtet low-cost, me çmime që nisin nga 54 mijë lekë për person për 7 netë në hotel me tre yje, deri në 92 mijë lekë për person për paketat më luksoze.
“Shqipëria është një vend unik dhe piktoresk. Nuk është çudi që destinacioni është bërë shumë popullore mes udhëtarëve suedezë në një periudhë të shkurtër kohe”, shprehet Peter Browall, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë.
Në këshillat për vizitën në Shqipëri, tur operatori sugjeron të vizitojnë të gjitha pikat kulturore, historike dhe zonat e mbrojtura, krahas plazheve të rivierës shqiptare. Ushqimi, pijet dhe duhani shihen si një avantazh i madh për koston e tyre të ulët dhe sugjerohet të provojnë byrek, tasqebao, paçe, pilaf e tarator, krahas pjatave shumë të shijshme të kuzhinës shqiptare të ndikuar edhe nga vendet fqinje.
Depërtimi i Shqipërisë edhe në tregun nordik, pritet të rrisë numrin e vizitorëve nga Europa Veriore, të cilin vitin e kaluar ishte 150 mijë turistë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.