Suedi, dështon prova e 6-orarëshit

Suedezët që kërkonin të punojnë 6 orë në ditë kanë marrë një lajm të keq: kostoja i tejkalon të mirat që ky orar i propozuar pune sjell.
Ky përfundim vjen nga një eksperiment 2-vjeçar i kryer në Gothenburg, qytetin ku prodhohen makinat Volvo. Bashkia është detyruar të punësojë 17 punonjës të rinj, për të mbuluar turnet e shtëpisë së të moshuarve, me një kosto shtesë prej 12 milion krona, ose 2.2 milion dollarë.
Nga studimi u mësua se punonjësit ndihen më të shëndetshëm, duke pakësuar lejet për sëmundje, dhe se përkujdesi ndaj pacientëve u përmirësua ndjeshëm. Por gjithsesi qyteti nuk ka ndërmend ta bëjë këtë plan të përhershëm.
“Është e lidhur drejtpërdrejt me kosto më të mëdha,” shprehet Daniel Bernmar, një politikan i krahut të majtë, përgjegjës për përkujdesin ndaj të moshuarve pranë bashkisë. “Do të ishte shumë e shtrenjtë të reduktoje orët e punës për të gjithë, brenda një periudhe të shkurtër.”
Eksperimenti i Gothenburgut ishte më i fundit nga një numër i madh provash ditore me orar të reduktuar që janë kryer në Suedi. Vendi nordik krenohet si një shtet i mirëqenies sociale, ndërsa aktivistët nëpër vendet e tjera e shohin si një model drejt shkurtimit të orarit të punës. Ndonëse sipas statistikave, orët e punës në Suedi kanë rënë përgjatë shekullit të kaluar, nuk ka një plan konkret për ta shtrirë nismën në rang kombëtar.
Megjithatë Bernmar shprehet se dëshiron të shohë më tepër studime të ngjashme dhe se shoqëria mundet vetëm të përfitojë nga kjo gjë. “Unë besoj se duke shkurtuar orët e punës, një punonjës që kryen një veprimtari intensive, mund të zgjasë jetën e tij profesionale. Sa më të pasur bëhemi, aq më tepër kemi nevojë të përfitojmë nga kjo pasuri, jo thjesht duke blerë një makinë të re apo duke shpenzuar më tepër.”
Burimi: Bloomberg
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.