Sufiçiti buxhetor në Gjermani – Rritet në nivel rekord, ndërkohë që konsumi nxit ekonominë
Gjermania ka publikuar një sufiçit rekord në buxhet për 2016-ën, nxitur prej rritjes së të ardhurave nga taksat, tregu i fortë i punës dhe kostot e ulëta të borxhit.
Zyra Federale e Statistikave deklaron se qeveria gjermane ka 3 vite që rezulton në sufiçit, ndërkohë që për 2016-ën hendeku është rritur në 23.7 miliardë euro, që është niveli më i lartë që prej riunifikimit.
Nën ligjin për buxhetin në Gjermani, 7.7 miliardë euro nga sufiçiti i Qeverisë Federale do të shkojnë drejt një fondi për shpenzimet e lidhura me emigrantët.
Ekonomia më e madhe Europës u rrit me 1.9% në vitin e kaluar, që është norma më e fortë në gjysmë dekade.
Ministria e Financave deklaroi se shpenzimet nga ekonomitë familjare dhe autoritetet publike do të nxisin ekonominë edhe për këtë vit, duke sjellë një zhvendosje nga aktiviteti tregtar që ka qenë zakonisht nxitësi kryesor i ekonomisë më të fortë europiane.
Të dhënat nga zyra Federale e Statistikave konfirmuan shifrat fillestare për një rritje me 0.4% në tremujorin e katërt 2016. Krijimi i vendeve të punës, rritja e pagave dhe normat e ulëta të interesit kanë sjellë rritjen e shpenzimeve nga ekonomitë familjare në Gjermani.
Ecuria pozitive e ekonomisë gjermane ka rritur edhe të ardhurat nga taksat. Në muajin Janar, të ardhurat e qeverisë federale dhe 16 shteteve janë rritur me 4% me bazë vjetore, sipër projeksioneve prej 2.9%. Të ardhurat e mëdha nga taksat kanë bërë që Qeveria të rrisë shpenzime në infrastrukturë, teknologji dhe për integrimin e refugjatëve pa qenë nevoja për të emetuar borxh të ri.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.